Psalmet 48

Këngë. Psalm i bijve të Korahut.

I madh është Zoti

e fort i lavdërueshëm

në qytetin e Perëndisë tonë,

në malin e tij të shenjtë.

Lartësi e bukur,

gëzimi i mbarë tokës

është mali i Sionit në skajin verior,

qyteti i mbretit të madh.

Në fortesat e tij Perëndia u bë i njohur

si streha e pamposhtur.

Ja, mbretërit janë mbledhur

e bashkë kanë marshuar.

Por panë e u hutuan,

të tmerruar mbrapsht u kthyen.

Aty i kapën drithërimat,

dhimbjet si ato të lindjes.

Me erën e lindjes

anijet e Tarshishit shkatërrove.

Siç kishim dëgjuar, ashtu po shohim

në qytetin e Zotit të ushtrive,

në qytetin e Perëndisë tonë,

që Perëndia e themeloi për amshim. selah

10 Mirësinë tënde përsiatim, o Perëndi,

brenda në tempullin tënd.

11 Përlëvdimi yt, o Perëndi, është si emri yt,

arrin deri në skajet e tokës;

e djathta jote është plot drejtësi.

12 Le të gëzojë mali i Sionit,

le të ngazëllojnë qytetet e Judës,

falë gjykimeve të tua.

13 Ejani përqark Sionit e bjerini përreth,

numërojini të gjitha kullat e tij.

14 Soditni muret e tij,

vështroni fortesat e tij,

që brezit të ardhshëm t’ia tregoni,

15 se ky është Perëndia, Perëndia ynë në amshim,

ai do të na prijë deri në vdekje.