Psalmet 47

Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut.

Duartrokitni, të gjithë ju, o popuj,

brohoritni për Perëndinë me zë gëzimi.

Se Zoti, i Tejlarti, është i tmerrshëm,

mbret i madh mbi tokën mbarë.

Popujt i vë nën sundimin tonë,

kombet nën këmbët tona.

Ai na e zgjodhi trashëgiminë,

lavdinë e Jakobit, që aq shumë e deshi. selah

Lartohet Perëndia mes brohoritjeve,

Zoti mes tingujve të bririt.

Këndojini Perëndisë, këndojini!

Këndojini mbretit tonë, këndojini!

Perëndia është mbreti i mbarë tokës,

këndojini, pra, një himn!

Perëndia mbretëron mbi kombet,

Perëndia rri mbi fronin e tij të shenjtë.

10 Princat e kombeve u bashkuan

me popullin e Perëndisë së Abrahamit,

se Perëndisë i përkasin mburojat e tokës,

e ai u lartësua shumë!