Psalmet 46

Mjeshtrit të korit, këngë në melodinë e virgjëreshave. E bijve të Korahut.

Perëndia është streha dhe fuqia jonë,

ndihmë që na gjendet përherë në ngushticë.

Prandaj s’do të trembemi po të lëkundet toka

e malet të tranden në zemër të detit.

Le të gjëmojnë ujërat, shkumë le të lëshojnë,

malet le të dridhen kur të fryhet deti. selah

Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë,

vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon.

Mes tij është Perëndia e nuk do të tronditet,

ai do ta ndihmojë kur të agojë mëngjesi.

Kombet bënë trazira, mbretëritë u tronditën,

Zoti gjëmoi e toka u tret.

Me ne është Zoti i ushtrive,

streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah

Ejani e shihni veprat e Zotit,

ai urdhëroi mjerime mbi tokë.

10 Ai i pushon luftrat anekënd tokës,

ai i thyen harqet e copëton ushtat,

e qerret me zjarr i djeg.

11 Ndaluni dhe dijeni se unë jam Perëndi.

I lartë përmbi kombe,

i lartë përmbi tokë.

12 Me ne është Zoti i ushtrive,

streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah