Psalmet 45

Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut», himn i bijve të Korahut. Këngë dashurie.

Fjalë të mira më burojnë nga zemra,

mbretit këngën time ia kushtoj,

gjuha ime si pendë bukurshkruesi.

Ti je më i bukuri ndër bijtë e njerëzve,

nga buzët e tua rrjedh hijeshi,

ndaj dhe Perëndia të ka bekuar në amshim.

Ngjishe shpatën në ijë, o trim,

për shkëlqimin dhe madhështinë tënde.

Ec përpara me madhështi,

për çështjen e së vërtetës kalëro,

për butësinë e për drejtësinë.

E djathta jote të dëfteftë mrekullira.

Shigjetat e tua janë të mprehta

për zemrat e armiqve të mbretit.

Nën ty popuj do të bien.

Froni yt, o Perëndi, mbetet përjetë,

skeptri yt mbretëror, skeptër drejtësie.

Ti e do drejtësinë,

por urren paudhësinë.

Perëndia të vajosi, Perëndia yt,

me vaj ngazëllimi,

si askënd nga shokët e tu.

Petkat e tua mirrë, aloe e kasie kundërmojnë,

nga pallatet e tua të fildishta

tinguj harpash të gëzojnë.

10 Bija mbretërish ka në shpurën tënde,

një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron,

stolisur me ar Ofiri.

11 Dëgjo, o bijë! Shiko e mba vesh!

Harroje popullin tënd

e shtëpinë e atit tënd!

12 Mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote,

ai do të jetë zotëria yt

dhe para tij do të përkulesh.

13 Bija e Tirit do të vijë me dhurata,

të pasurit e popullit do të kërkojnë pëlqimin tënd.

14 Brenda është bija e mbretit, tërë lavdi,

rrobat e saj me ar qëndisur.

15 Me rroba tërë qëndisma ia sjellin mbretit

e pas i vjen shpura e virgjëreshave,

shoqet, që para teje i paraqesin.

16 I sjellin me gëzim e me hare,

i çojnë në pallatin e mbretit.

17 Pas etërve do të vijnë bijtë e tu,

princa do t’i bësh në mbarë tokën.

18 Do ta përkujtoj emrin tënd brez pas brezi,

ndaj dhe popujt do të të falënderojnë përjetë e në amshim.