Psalmet 43

Jepmë të drejtë, o Perëndi,

çështjen time mbroje para një kombi të pabesë

dhe prej njeriut mashtrues e dinak çliromë.

Se ti je Perëndia ku gjej strehë,

përse më ke hedhur tej?

Përse endem i vranët

e i shtypur prej armikut?

Dërgo dritën dhe të vërtetën tënde,

që të më prijnë,

që në malin tënd të shenjtë të më çojnë,

në vendin e banesës sate.

Do të shkoj tek altari i Perëndisë,

te Perëndia i gëzimit e i ngazëllimit tim.

Me lirë do të të falënderoj,

o Perëndi, Perëndia im.

Përse lëngon, o shpirti im?

Përse gulçon brenda meje?

Shpreso te Perëndia, se do ta përlëvdoj sërish.

Ai është shpëtimtari im dhe Perëndia im.