Psalmet 42

Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut.

Ashtu si dreri dëshiron rrëketë e ujërave,

edhe shpirti im të dëshiron ty, o Perëndi.

Shpirti im është i etur për Perëndinë,

për Perëndinë e gjallë;

kur do të shkoj e të dal para Perëndisë?

Lotët janë bërë buka ime, ditë e natë,

teksa përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?».

Këtë kujtoj e më mallëngjehet shpirti:

ecja me njerëzit,

drejt shtëpisë së Perëndisë u prija.

Turma kremtonte plot britma gëzimi e falënderimi.

Përse lëngon, o shpirti im?

Përse vajton brenda meje?

Shpreso te Perëndia, do ta përlëvdoj sërish,

se prania e tij shpëton.

O Perëndia im, m’u këput shpirti,

ndaj dhe të kujtoj prej tokës së Jordanit,

prej Hermonit e prej malit të Micarit.

Humnera humnerës i thërret

me ushtimën e ujëvarave të tua,

të gjitha dallgët e valët e tua kaluan mbi mua.

Ditën, Zoti dëften mirësinë e tij,

natën unë i thur këngë,

i lutem Perëndisë së jetës sime.

10 Do t’i them Perëndisë, shkëmbit tim:

«Përse më ke harruar?

Përse endem i vranët e i shtypur prej armikut?».

11 Armiqtë më poshtërojnë,

kockat m’i dërrmojnë,

e përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?».

12 Përse lëngon, o shpirti im?

Përse vajton brenda meje?

Shpreso te Perëndia, se do ta përlëvdoj sërish.

Ai është shpëtimtari im dhe Perëndia im.