Psalmet 41

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Lum ai që kujtohet për të varfrin,

në ditë fatkeqësie Zoti do ta shpëtojë.

Zoti do ta ruajë e do ta mbajë gjallë,

do ta bëjë të lum mbi tokë

e s’do ta lërë në duart e armiqve.

Zoti do ta ndihmojë kur të dergjet në shtrat,

në kohë sëmundjesh do t’ia lehtësojë dhimbjen.

E unë thashë: «Mëshiromë, o Zot!

Shëroje shpirtin tim, se kam mëkatuar ndaj teje».

Armiqtë e mi flasin keq për mua e thonë:

«Kur do të vdesë e t’i shuhet emri?».

Kur dikush vjen të më shohë, flet rrena

e në zemër mbledh paudhësi.

Mandej del jashtë e më përflet.

Të gjithë ata që më urrejnë

përshpëritin për mua me njëri-tjetrin

e ligësi kurdisin kundër meje:

«E ka zënë gjëma e tmerrshme,

ka zënë shtratin e më s’ngrihet».

10 Edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim

e që hante bukën time, u ngrit kundër meje.

11 Por ti, o Zot, mëshiromë,

ngrimë që t’ua shpaguaj.

12 Kështu do ta di se ti më do:

nëse armiku im nuk ngadhënjen mbi mua.

13 Ti më ke përkrahur në pafajësinë time

e më ke vënë përherë në praninë tënde.

14 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,

prej amshimit në amshim. Amen! Amen!