Psalmet 4

Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Davidit.

Kur të thërras, përgjigjmu,

o Perëndi, drejtësia ime!

Kur isha ngushtë, ti më lehtësove;

ki mëshirë për mua e lutjen ma dëgjo.

Deri kur do të ma shkelni nderin, o njerëz,

ju që kotësi dëshironi e gënjeshtra kërkoni? selah

Dijeni, Zoti zgjedh atë që i qëndron besnik,

Zoti më dëgjon kur i thërras.

Vloni nga zemërimi, por mos mëkatoni!

Shqyrtoni zemrën, kur të flini, dhe heshtni! selah

Kushtoni flijime drejtësie

e kini besim te Zoti.

Shumë thonë: «Kush do të na e tregojë të mirën?

Ndriçoje mbi ne, o Zot, dritën e fytyrës sate».

Shumë e gëzove zemrën time,

më shumë se ata që marrin grurë

e musht me shumicë.

Në paqe do të shtrihem e do të fle,

se vetëm ti, o Zot,

më strehon në vend të sigurt.