Psalmet 33

Brohoritni, o besnikë, në Zotin,

të drejtëve u ka hije lavdërimi.

Kremtojeni Zotin me qeste,

këndojini me harpën me dhjetë tela.

Këndojini atij një këngë të re,

bjeruni bukur veglave muzikore e brohoritni!

E drejtë është fjala e Zotit,

të gjitha veprat e tij plot besnikëri.

Ai e do drejtësinë dhe gjykimin e drejtë,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

Me fjalën e Zotit u krijuan qiejt,

me frymën e gojës së tij mbarë ushtria qiellore.

Ujërat e deteve i mblodhi si në një pirg,

thellësitë i mbylli nëpër drithnikë.

Le ta ketë frikë Zotin mbarë toka,

le të dridhen para tij gjithë banorët e botës.

Se ai foli e gjithçka u bë,

ai urdhëroi e u përftua.

10 Zoti i zhbën shestimet e kombeve,

mendimet e popujve ai i prish.

11 Por shestimi i Zotit mbetet përjetë,

mendimet e zemrës së tij brez pas brezi.

12 Lum ai komb që ka për Perëndi Zotin,

ai popull që e zgjodhi si trashëgiminë e vet.

13 Zoti vështron prej qiellit,

mbarë bijtë e njerëzve i shikon.

14 Prej vendbanimit të tij

ai shqyrton gjithë banorët e tokës.

15 Ai i dha trajtë zemrës së çdo njeriu,

i kupton mbarë veprat e njerëzve.

16 Nuk shpëton mbreti falë ushtrisë së madhe

e as luftëtari trim falë fuqisë së tij të madhe.

17 Më kot e pret shpëtimin prej kalit,

forca e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.

18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19 që t’ua çlirojë shpirtin nga vdekja,

që t’i mbajë gjallë në kohë urie.

20 Shpirti ynë pret Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

21 Në të gëzon zemra jonë,

në emrin e tij të shenjtë kemi besim.

22 Qoftë mbi ne, o Zot, mirësia jote,

sikurse kemi shpresuar në ty.