Psalmet 31

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Te ti, o Zot, kërkova strehë,

mos lejo të turpërohem asnjëherë,

sipas drejtësisë sate çliromë!

Prire veshin drejt meje,

nxito të më çlirosh,

bëhu për mua shkëmbi,

ku gjej strehim,

fortesa e shpëtimit tim.

Ti je shkëmbi dhe fortesa ime,

për hir të emrit tënd primë e hiqmë udhën.

Më nxirr nga laku, që fshehtas më kanë ngritur,

sepse ti je streha ime.

Në duart e tua e lë shpirtin tim,

shpengomë, o Zot, Perëndi besnik.

I urrej ata që jepen pas idhujve të kotë,

por unë shpresën e kam te Zoti.

Për mirësinë tënde gëzoj e ngazëllej,

se ti e pe pikëllimin tim

dhe e njohe mjerimin e shpirtit tim.

Nuk më le të bie në dorë të armiqve,

këmbët m’i vure në vend të gjerë.

10 Mëshiromë, o Zot, se jam ngushtë,

nga brenga po më treten sytë, shpirti e trupi.

11 Jeta po më mpaket në hidhërim

e vitet po kalojnë mes lëngatash,

më kanë lënë fuqitë prej paudhësisë

e kockat po më treten.

12 Jam bërë tallje për të gjithë armiqtë

e shumë më tepër për fqinjët.

Jam kthyer në tmerr për të njohurit

e sa më shohin rrugës, ikin.

13 Më kanë harruar fare,

si të isha i vdekur,

jam bërë porsi enë e thyer.

14 Shpifjet e shumë njerëzve i dëgjova,

tmerr nga të gjitha anët,

janë bërë bashkë kundër meje,

po kurdisin jetën të ma marrin.

15 Por unë shpresoj te ti, o Zot,

e them: «Ti je Perëndia im!».

16 Në duart e tua janë motet e mia,

shpëtomë nga dora e armiqve të mi

e prej atyre që më përndjekin.

17 Shndrittë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd,

sipas mirësisë sate shpëtomë.

18 Mos më turpëro, o Zot,

se ty të kam thirrur.

U turpërofshin të paudhët

e në skëterrë gojën mbyllshin.

19 U mbyllshin buzët gënjeshtare,

që kundër të drejtit tërë krenari flasin,

tërë mburrje e përbuzje.

20 Sa e madhe është mirësia jote, o Zot,

që ti e ruan për ata që të druajnë.

Ua jep atyre që kërkojnë strehë te ti,

në sytë e mbarë bijve të njerëzve.

21 Nën strehën e pranisë sate i fsheh,

larg kurtheve të njerëzve,

nën banesën tënde i strehon,

larg gjuhëve ngatërrestare.

22 Bekuar qoftë Zoti,

se brenda qytetit të rrethuar

me mrekullinë e mirësisë së tij më mbuloi.

23 E unë, në hutimin tim, thosha:

«Jam dëbuar larg syve të tu».

Veçse, ti e dëgjove përgjërimin tim,

kur unë ty të thirra.

24 Duajeni Zotin, të gjithë ju besnikët e tij!

Zoti i mbron besimtarët e tij

dhe shpaguan plotësisht kë vepron me krenari.

25 Jini të fortë e merrni zemër,

të gjithë ju që Zotin pritni.