Psalmet 28

Psalm i Davidit.

Ty të thërras, o Zot,

shkëmbi im, mos hesht ndaj meje.

Po heshte ndaj meje,

do të bëhem si ata që zbresin në gropë.

Dëgjoje zërin e përgjërimit tim,

kur të thërras për ndihmë,

kur duart i ngre drejt shenjtërores sate të shenjtë.

Mos më hiq zvarrë edhe mua si të paudhët,

si ata që të keqen bëjnë,

që për paqe flasin me të afërtit,

por në zemër bluajnë ligësi.

Shpërbleji sipas veprave të tyre,

sipas veprimeve të tyre të liga.

Shpërbleji sipas veprave të duarve të tyre,

jepu shpagimin që meritojnë,

se i shpërfillin veprat e Zotit

dhe punët e duarve të tij.

Ai i rrënoftë e më mos i ngrittë!

Bekuar qoftë Zoti,

se e dëgjoi zërin e përgjërimit tim!

Zoti është fuqia dhe mburoja ime,

në të shpreson zemra ime,

tek ai gjeta ndihmë.

Ndaj ngazëllen zemra ime,

me këngë e falënderoj.

Zoti është fuqia e popullit të tij,

strehë shpëtimi për të vajosurin e vet.

Shpëtoje popullin tënd,

bekoje trashëgimin tënd!

Ji bariu i tyre

e lartësoji deri në amshim!