Psalmet 27

Psalm i Davidit.

Zoti është drita dhe shpëtimi im,

kë do të kem frikë?

Zoti është streha e jetës sime,

nga kush do të trembem?

Kur m’u vërsulën keqbërësit

për të më ngrënë të gjallë,

armiqtë dhe kundërshtarët e mi,

ata vetë u penguan e ranë.

Edhe një ushtri po të ngrihet kundër meje,

nuk trembet zemra ime,

edhe lufta po të plasë kundër meje,

prapë do të kem shpresë.

Veç një gjë i kam kërkuar Zotit

e për këtë i lutem:

të banoj në shtëpinë e Zotit

gjithë ditët e jetës sime,

të sodit bukurinë e Zotit

e tempullin e tij të kundroj.

Në ditë të ligë në strehën e tij më fsheh,

në fshehtësinë e tendës së tij më struk.

Më ngre lart mbi një shkëmb,

e tani, koka ime lartësohet

mbi armiqtë që më rrethojnë.

Tërë brohori në tendën e tij fli do të kushtoj,

do të këndoj e himne Zotit do t’i thur.

Zot, dëgjomë kur të thërras,

ki mëshirë për mua e m’u përgjigj.

Për ty foli zemra ime e tha: «Kërkoni fytyrën time».

Fytyrën tënde, o Zot, kërkoj.

Mos e fshih fytyrën tënde prej meje,

mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd,

ti që ke qenë ndihma ime.

Mos më lër e mos më braktis,

o Perëndi i shpëtimit tim.

10 Im atë e nëna ime më braktisën,

por Zoti më pranoi.

11 Mësomë, o Zot, udhën tënde,

në shteg të drejtë më udhëhiq,

për shkak të armiqve të mi.

12 Mos më lër në mëshirë të armiqve të mi,

se më kanë dalë kundër dëshmitarë të rremë,

njerëz që shfryjnë dhunë.

13 Jam i bindur se do ta shoh mirësinë e Zotit

në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin.

Bëhu i fortë e merr zemër.

Zotin prit.