Psalmet 140

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Çliromë, o Zot, prej njeriut të lig,

prej njeriut të dhunshëm shpëtomë.

Të këqija shestojnë në zemër,

tërë ditën sendërgjojnë luftra.

E mprehin gjuhën porsi gjarpri,

nën buzë kanë helm nepërke. selah

Ruamë, o Zot, prej duarve të të paudhit,

prej njeriut të dhunshëm shpëtomë,

se po shestojnë të më pengojnë këmbët.

Kryelartët kanë fshehur lakun kundër meje,

me litarë e kanë lidhur rrjetën,

përgjatë udhës më kanë ngritur kurthe. selah

I thashë Zotit: «Ti je Perëndia im».

Dëgjoje, o Zot, zërin e përgjërimit tim.

Zot, Zoti im, fuqia e shpëtimit tim,

ti ma mbrojte kokën ditën e betejës.

Mos i plotëso, o Zot, dëshirat e të paudhit,

sendërgjimet e tij mos i përmbush,

që të mos ngrejë krye. selah

10 Atyre që më rrethojnë,

u rëntë kokës ligësia e buzëve të veta.

11 Rënçin mbi ta thëngjij të ndezur,

u plandosshin në gropë e më mos dalshin.

12 Njeriu shpifës mos zëntë rrënjë mbi tokë,

njeriun e dhunshëm e ndjektë pas fatkeqësia.

13 E di se Zoti do ta mbrojë çështjen e të mjerit

dhe do t’i japë drejtësi skamnorit.

14 Atëherë të drejtët do të përlëvdojnë emrin tënd,

besnikët do të banojnë në praninë tënde.