Psalmet 137

Brigjeve të lumenjve të Babilonisë,

atje uleshim e qanim, Sionin tek kujtonim.

Nëpër shelgje në mes të saj,

aty i varëm qestet tona.

Atje robëruesit na kërkuan këngë,

shtypësit këngë hareje:

«Na këndoni këngët e Sionit».

Por si t’i këndojmë këngët e Zotit

në dhe të huaj?

M’u thaftë dora e djathtë,

në të harrofsha, o Jerusalem.

M’u kaptë gjuha pas qiellze,

në mos të kujtofsha më, o Jerusalem,

në mos të mbajtsha si gëzimin më të madh.

Mbaji mend, o Zot, bijtë e Edomit,

ata që ditën e zezë të Jerusalemit thoshin:

«Rrënojeni, me themele rrënojeni!».

Dhe ti, o bijë e Babilonisë,

ke për t’u shkatërruar,

ndaj lum kush do të marrë shpagim

për ato që na ke bërë.

Lum ai që do t’i kapë foshnjat e tua

e do t’i përplasë pas shkëmbit.