Psalmet 135

Aleluja! Lavdëroni emrin e Zotit,

lavdërojeni, o shërbëtorë të Zotit,

ju që rrini në shtëpinë e Zotit,

në oborret e shtëpisë së Perëndisë sonë.

Lavdërojeni Zotin, se Zoti është i mirë,

këndojini emrit të tij, se është i ëmbël.

Zoti e ka zgjedhur Jakobin për vete,

Izraelin si thesarin e tij të çmuar.

Unë e di mirë se Zoti është i madh,

se Zoti ynë është mbi gjithë perënditë.

Zoti bën gjithçka do,

në qiej e mbi tokë, nëpër dete e në çdo thellësi.

Retë i ngre lart nga skajet e tokës,

bën vetëtimat për shiun,

erën nga drithnikët e tij e nxjerr.

Ai i vrau të parëlindurit e Egjiptit,

si të njerëzve dhe të kafshëve.

Shenja e mrekulli bëri te ti, o Egjipt,

para faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij.

10 Shfarosi kombe të shumtë,

vrau mbretër të fuqishëm,

11 Sihonin, mbretin e amoritëve,

dhe Ogun, mbretin e Bashanit,

gjithë mbretëritë e Kanaanit.

12 Tokën e tyre e dha trashëgim,

trashëgim Izraelit, popullit të vet.

13 Zot, emri yt mbetet përjetë,

kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

14 Zoti bën drejtësi për popullin e tij

dhe me shërbëtorët e vet është i mëshirshëm.

15 Idhujt e kombeve janë argjend e ar,

vepër e dorës së njeriut.

16 Kanë gojë, por nuk flasin,

kanë sy, por nuk shikojnë,

17 kanë veshë, por nuk dëgjojnë,

e me gojë nuk marrin frymë.

18 Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë,

të gjithë sa kanë besim në ta.

19 Bekoje Zotin, o shtëpi e Izraelit,

bekoje Zotin, o shtëpi e Aronit!

20 Bekoje Zotin, o shtëpi e Levit,

bekojeni Zotin, ju që druani Zotin!

21 Bekuar qoftë Zoti prej Sionit,

ai që banon në Jerusalem! Aleluja!