Psalmet 132

Këngë shtegtimesh.

Kujto, o Zot, Davidin

dhe gjithë mundimet e tij,

si iu betua Zotit,

si iu zotua të fuqishmit të Jakobit:

«Nuk do të hyj nën pullazin e shtëpisë sime,

nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi

e as dremitje qepallave të mia,

derisa të gjej një vend për Zotin,

një banesë për të fuqishmin e Jakobit».

Ja, dëgjuam se arka ishte në Efratë,

e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të hyjmë në banesën e Zotit,

le të përkulemi me nderim

te shtroja e këmbëve të tij.

Ngrihu, o Zot,

dhe eja në vendin e prehjes sate,

ti dhe arka jote e fuqishme.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi

dhe besnikët e tu le të brohorasin.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd,

mos e hidh poshtë të vajosurin tënd.

11 Zoti iu betua me të vërtetë Davidit

e nuk do ta shkelë betimin:

«Do të vë mbi fronin tënd

një nga frytet e barkut tënd.

12 Në mbajtshin bijtë e tu besëlidhjen time

dhe dëshmitë që do t’u mësoj,

edhe bijtë e tyre përgjithmonë

mbi fronin tënd do të ulen».

13 Ja, Zoti zgjodhi Sionin,

atë pëlqeu për banesë të tij.

14 «Ky do të jetë përjetë vendi i prehjes sime,

këtu do të banoj, se më pëlqen.

15 Prodhimet e tij do t’i bekoj pa masë,

të varfrit e tij do t’i ngij me bukë.

16 Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shpëtim,

besnikët e tij do të brohorasin nga gëzimi.

17 Atje do t’i rrit Davidit një pinjollp,

e kam gati llambën për të vajosurin tim.

18 Armiqtë e tij do t’i vesh me turp,

por mbi kokë do t’i shkëlqejë kurora».


 p132.17 he. bri