Psalmet 13

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Deri kur do të më harrosh, o Zot?

Deri kur do ta fshehësh fytyrën prej meje?

Deri kur do të kem ankth në shpirt

e brengë në zemër gjithë ditën?

Deri kur armiku do të ngadhënjejë mbi mua?

Shikomë e përgjigjmu, o Zot, Perëndia im!

Jepu dritë syve të mi,

që të mos më zërë gjumi i vdekjes,

që armiku të mos thotë: «Ngadhënjeva mbi të!»

që kundërshtarët të mos gëzojnë po të më merren këmbët.

Por unë kam besim në mirësinë tënde,

zemra ime u gëzoftë për shpëtimin tënd.

Do t’i këndoj Zotit për të mirat që më dha.