Psalmet 129

Këngë shtegtimesh.

Shumë më kanë luftuar që në rini,

le ta thotë, pra, Izraeli,

shumë më kanë luftuar që në rini,

por nuk ia dolën të më mposhtin.

Bujqit kanë mihur mbi kurrizin tim,

hulli të gjata aty kanë bërë.

Por Zoti është i drejtë,

leqet e të paudhëve i këputi.

U turpërofshin e u kthefshin pas,

gjithë sa urrejnë Sionin!

U bëfshin si bari i pullazeve,

që thahet para se të rritet.

Me të korrësi s’e mbush dot dorën

e as krahët ai që mbledh duajt.

E as kalimtarët nuk do të thonë:

«Bekimi i Zotit qoftë mbi ju!

Ju bekojmë në emër të Zotit!».