Psalmet 127

Këngë shtegtimesh. E Solomonit.

Nëse nuk e ndërton Zoti shtëpinë,

më kot mundohen ndërtuesit.

Nëse nuk e ruan Zoti qytetin,

më kot rrinë zgjuar rojat.

Më kot ngriheni qëmenatë

e qëndroni zgjuar deri vonë,

për të ngrënë bukën e mundimit.

Se Zoti i jep atij që do,

edhe në gjumë.

Ja, bijtë janë trashëgimi prej Zotit,

fryti i barkut është shpërblimi i tij.

Si shigjetat në dorën e trimit,

ashtu janë bijtë e djalërisë.

Lum ai që e ka të mbushur kukurën me to,

se s’do të turpërohet, kur të flasë me armiqtë te porta.