Psalmet 125

Këngë shtegtimesh.

Ata që kanë besim te Zoti janë si mali i Sionit,

që nuk trandet, por mbetet në amshim.

Jerusalemi është i rrethuar me male,

Zoti rrethon popullin e vet

që tani e deri në amshim.

Skeptri i të paudhëve nuk do të sundojë

mbi trashëgiminë e të drejtëve,

që të drejtët të mos i zgjatin duart

për të bërë paudhësi.

Të mirëve, o Zot, bëju mirë,

edhe atyre që janë zemërdrejtë.

Por ata që shkojnë nëpër udhë të shtrembra,

Zoti do t’i degdisë bashkë me të paudhët.

Paqe mbi Izraelin!