Psalmet 124

Këngë shtegtimesh. Psalm i Davidit.

Po të mos kishte qenë Zoti me ne,

le ta thotë, pra, Izraeli,

po të mos kishte qenë Zoti me ne,

kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

atëherë do të na kishin përpirë të gjallë,

kur zemërimi i tyre shpërtheu kundër nesh.

Do të na kishin rrëmbyer ujërat,

përroi do të na kishte mbuluar,

atëherë tërbimi i ujërave

do të kishte kaluar mbi ne.

Bekuar qoftë Zoti

që nuk na la të binim pre e dhëmbëve të tyre!

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarëve,

laku u këput e ne shpëtuam.

Ndihma jonë është në emër të Zotit

që krijoi qiellin e tokën.