Psalmet 122

Këngë shtegtimesh. Psalm i Davidit.

U gëzova kur më thanë:

«Të shkojmë në shtëpinë e Zotit!».

Dhe, ja, këmbët tona u ndalën te portat e tua,

o Jerusalem!

Jerusalemi, ndërtuar si një qytet,

i bashkuar e i mbledhur tok.

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,

sipas dëshmisë dhënë Izraelit,

për të përlëvduar emrin e Zotit.

Atje janë vënë fronet e gjykimit,

fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jerusalemit:

«Qofshin të begatë ata që të duan!

Pastë paqe brenda mureve të tua,

qetësi në fortesat e tua!».

Për hir të vëllezërve e të miqve të mi,

teksa do të them: «Paqja qoftë me ty!».

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë,

do të kërkoj të mirën tënde.