Psalmet 121

Këngë shtegtimesh.

I ngrita sytë drejt maleve,

prej nga do të më vijë ndihma?

Ndihma më vjen nga Zoti,

që krijoi qiellin e tokën.

Ai s’do të lejojë të të merren këmbët,

ai që të mbron nuk do të kotet.

Jo, ai që mbron Izraelin

nuk do të kotet e as nuk do të flejë.

Zoti është mbrojtësi yt,

Zoti është mburoja jote,

ai qëndron në të djathtën tënde.

Dielli nuk do të të godasë ditën

e as hëna natën.

Zoti do të të mbrojë nga çdo e keqe,

ai do ta mbrojë jetën tënde.

Zoti do të mbrojë vajtjet e ardhjet e tua,

që tani e deri në amshim.