Psalmet 120

Këngë shtegtimesh.

Në fatkeqësi i thirra Zotit

e ai m’u përgjigj.

Zot, shpëtomë prej buzëve gënjeshtare,

dhe prej gjuhës mashtruese.

Ç’do të marrësh e ç’do të fitosh,

o gjuhë mashtruese?

Shigjeta të mprehta luftëtari

me thëngjij të ndezur dëllinje.

I mjeri unë që banoj në Meshek

e rri ndër tendat e Kedarit.

Tepër gjatë ka jetuar shpirti im

me njerëz që urrejnë paqen.

Unë jam për paqen,

por, kur flas, ata kërkojnë luftë.