Psalmet 113

Aleluja.

Lavdëroni, o shërbëtorë të Zotit,

lavdëroni emrin e Zotit.

Qoftë bekuar emri i Zotit

që tani e deri në amshim!

Nga lindja e diellit deri në perëndim

lëvduar qoftë emri i Zotit!

Zoti është më lartë se gjithë kombet,

lavdia e tij është përmbi qiejt.

Kush është si Zoti, Perëndia ynë,

që banon në lartësi,

që përkulet për të parë

qiellin e tokën mbarë?

Nga pluhuri ai e ngre të mjerin,

nevojtarin prej plehut e lartëson.

Me fisnikët e vë të ulet,

me fisnikët e popullit të vet.

Beronjën e bën zonjë shtëpie,

nënë fëmijësh plot ngazëllim.

Aleluja!