Psalmet 109

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

O Perëndi, lavdi im,

mos hesht!

Se goja e të paudhit dhe goja e mashtruesit

është hapur kundër meje,

kanë folur kundër meje

me gjuhë gënjeshtare.

Më kanë rrethuar me fjalë urrejtjeje,

më kanë sulmuar pa shkak.

Dashurisë sime i përgjigjen me padi,

por unë veç lutem.

Të mirën ma kthejnë me të keqe,

dashurinë ma shpërblejnë me urrejtje.

«Cakto një të paudhë mbi të», thonë,

«Një paditës, që t’i rrijë në të djathtë.

Daltë fajtor kur ta gjykojnë,

lutja iu ktheftë në mëkat.

Qofshin të pakta ditët e tij,

vendin e tij e zëntë një tjetër.

Bijtë e tij mbetshin jetimë

dhe gruaja e tij vejushë.

10 Iu bëfshin bijtë endacakë e lypsarë,

rrëmofshin larg rrënojave të tyre.

11 Pasurinë ia marrtë huadhënësi,

të huajt e përlafshin mundin e tij.

12 Askush mos tregoftë mirësi për të,

askujt mos iu dhimbshin jetimët e tij.

13 Pasardhësit e tij u shfarosshin,

u shoftë emri i tyre pas një breznie.

14 E kujtoftë Zoti paudhësinë e etërve të tij,

mëkatin e nënës së tij mos e shleftë.

15 Para syve të Zotit qofshin përherë,

u zhduktë nga toka kujtimi i tyre.

16 Se nuk u kujtua të tregojë mirësi,

por e mundonte skamnorin e nevojtarin,

zemërthyerin e ndiqte deri në vdekje.

17 E donte mallkimin, rëntë, pra, mbi të!

S’e donte bekimin, qoftë, pra, larg tij!

18 E vishte mallkimin si rrobë,

e pra, ia përshkoftë të përbrendshmet si uji

dhe kockat porsi vaji.

19 Iu bëftë porsi rroba që vesh,

si brezi që mban përherë ngjeshur».

20 Këtë shpagim paçin prej Zotit paditësit e mi,

bashkë me ata që flasin keq kundër shpirtit tim.

21 E ti, o Zot, Zoti im, vepro për mua,

siç i ka hije emrit tënd!

E dashur është mirësia jote, shpëtomë!

22 Se skamnor e nevojtar jam unë

e zemra ime sëmbon brenda meje.

23 Po tretem si hija e muzgut,

po më shkundin si karkalecin.

24 Gjunjët po më këputen nga të pangrënët,

mishi po më tretet pa dhjamë.

25 Jam kthyer në përqeshje për ta,

kur më shikojnë, tundin kokën.

26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im,

shpëtomë sipas mirësisë sate.

27 Le ta dinë se kjo është dora jote

dhe se ti, o Zot, e bëre këtë.

28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh.

Ata që ngrihen kundër meje do të turpërohen,

ndërsa shërbëtori yt do të gëzohet.

29 U veshshin me turp ata që më paditin,

me turpin e vet si me petk u mbështjellshin.

30 E unë do ta përlëvdoj Zotin me plot gojën,

në mes të turmës së madhe do ta lavdëroj.

31 Se ai i rri në të djathtë skamnorit

dhe e shpëton nga ata që e gjykojnë.