Psalmet 108

Këngë. Psalm i Davidit.

Zemra ime është e fortë, o Perëndi.

Do të këndoj e do të thur himne

me gjithë shpirtin tim.

Zgjohu, ti o harpë dhe lirë,

se dua të zgjoj agimin.

Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot,

do të këndoj për ty mes kombeve.

Se mirësia jote lartohet deri në qiej,

e besnikëria jote deri ndër retë.

Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,

le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë!

Shpëtona me të djathtën tënde e dëgjona,

që ta fitojnë lirinë ata që të duan.

Perëndia foli në shenjtëroren e tij:

«Do të ngadhënjej e do ta ndaj Shekemin,

luginën e Sukotit do ta mat.

Imi është Gileadi, imi Manaseu,

Efraimi është përkrenarja ime, Juda skeptri im,

10 Moabi legeni ku lahem,

në Edom i hedh sandalet,

mbi Filistinë do të brohoras».

11 Kush do të më çojë deri në fortesë?

Kush do të më prijë deri në Edom?

12 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke hedhur poshtë,

ti, që me ushtritë tona nuk marshon më?

13 Dërgona ndihmën tënde kundër armikut,

se ndihma e njeriut është e kotë.

14 Me Perëndinë do të bëhemi të fortë,

ai do t’i shtypë armiqtë tanë.