Psalmet 107

Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,

se mirësia e tij mbetet përjetë.

Le ta thonë të shpenguarit prej Zotit,

ata që prej dorës së armikut i shpengoi

e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja,

prej lindjes e prej perëndimit,

prej veriut e prej anës së detit.

Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë,

pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar.

Kishin uri, kishin etje,

po u këputej shpirti.

Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit

dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.

U priu në një udhë të drejtë,

që në një qytet të banuar të shkonin.

Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,

për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.

Se ai e ngiu shpirtin e të eturit,

me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit.

10 Banonin në errësirë e në terr,

të robëruar në mjerim e në pranga.

11 Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë,

kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit.

12 Prandaj ua përuli zemrën me mundime,

u rrëzuan e s’kish kush t’i ndihmonte.

13 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit

dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.

14 Prej errësirës e prej territ i nxori,

vargonjtë e tyre i këputi.

15 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,

për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.

16 Ai i copëtoi portat prej bronzi,

shulat prej hekuri i theu.

17 Ishin marrosur prej jetës së shthurur,

ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre.

18 Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi,

kishin mbërritur te portat e vdekjes.

19 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit

dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.

20 Fjalën e vet dërgoi e i shëroi,

prej gropës së varrit i shpëtoi.

21 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,

për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.

22 Le t’i kushtojnë fli falënderimi,

le të shpallin veprat e tij me ngazëllim.

23 Ata që lundrojnë në det me anije,

që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti,

24 ata i kanë parë veprat e Zotit

dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi.

25 Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme,

dallgët e detit lart u ngritën.

26 Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë,

shpirti u këputet prej rrezikut.

27 Lëkunden e dridhen si të dehur,

tërë mjeshtëria u është sosur.

28 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit

dhe ai i nxori prej mjerimeve.

29 Stuhinë e bëri bunacë,

u qetësuan valët e detit.

30 Prej qetësimit të valëve u gëzuan,

në limanin e dëshiruar ai u priu.

31 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,

për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.

32 Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit,

le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve.

33 Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë,

burimet e ujërave në vend të thatë.

34 Tokën pjellore e ktheu në kripore,

për shkak të ligësisë së banorëve të saj.

35 Shkretëtirën e shndërroi në liqen,

tokën e thatë në burime ujërash.

36 Atje i strehoi të uriturit,

atje ngritën qytete për të banuar.

37 Mbollën ara, mbëltuan vreshta,

që dhanë prodhim të mbarë.

38 I bekoi e fort u shumuan,

bagëtinë nuk ua pakësoi.

39 Por mandej u mpakën e u poshtëruan

prej mundimit të mjerimit e dhimbjes.

40 Përçmim hodhi mbi prijësit,

i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

41 Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi,

familjet ua shtoi porsi bagëtitë.

42 Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë,

çdo paudhësi gojën do të mbyllë.

43 Kush është i urtë le t’i ruajë këto

e mirësinë e Zotit le ta kuptojë.