Psalmet 101

Psalm i Davidit.

Mirësisë e drejtësisë do t’i këndoj,

ty do të të thur himne, o Zot.

Do të ndjek me urti udhën e përsosur,

kur do të vish tek unë?

Do të jetoj me zemër të pastër,

brenda në shtëpinë time.

S’do të mbaj para syve asgjë të pavlerë,

e urrej veprën e dinakut,

një gjë e tillë nuk do të më prekë.

Do ta mbaj larg zemrën e shthurur,

për të keqen nuk dua as t’ia di.

Atë që të afërtin tinëz e përflet do ta shfaros,

mendjemadhin e kryelartin s’do ta duroj.

Kërkoj me sy besnikët e vendit,

ata do të banojnë me mua;

ai që ecën udhës së përsosur,

ai do të jetë shërbëtori im.

Mashtruesi s’ka për të banuar brenda shtëpisë sime,

kush flet rrena nuk do të qëndrojë para syve të mi.

Në mëngjes do të shfaros gjithë të këqijtë e vendit,

që t’i zhbij prej qytetit të Zotit

të gjithë ata që bëjnë paudhësi.