Psalmet 1

Lum njeriu që nuk ndjek këshillën e të paudhëve

dhe udhës së mëkatarëve nuk qëndron,

që nuk rri me përqeshësit,

por kënaqet me ligjin e Zotit

dhe ditë e natë për atë ligj mendon.

Ai është si pemë e mbjellë buzë rrjedhës së ujërave,

që frytin e jep në stinën e vet

e gjethja nuk i vyshket.

Atij i shkon mbarë gjithçka bën.

Por nuk ndodh kështu me të paudhët.

Ata janë si byku që merr era.

Të paudhët nuk do t’i bëjnë ballë gjykimit,

as mëkatarët kuvendit të të drejtëve.

Zoti e njeh mirë udhën e të drejtëve,

ndërsa udha e të paudhëve do të marrë fund.