Kuvendari 8

Kush është si i urti

e kush di t’i dallojë gjërat?

Urtia njerëzore e shndrin fytyrën e tij

e ia shndërron fytyrën e ngrysur.

Zbatoji urdhrat e mbretit, se i je betuar Perëndisë. Mos u largo me ngut prej tij, mos ngul këmbë në punë të mbrapshta, se ai mund të bëjë çfarë të dojë. Se fjala e mbretit është eprore dhe kush mund t’i thotë: «Çfarë po bën?». Ai që e zbaton urdhërimin nuk do të njohë asnjë të keqe. Zemërurti njeh kohën e doket. Se çdo gjë ka kohën e doket e veta dhe ligësia peshon mbi njeriun. Asnjë nuk e di ç’do të ndodhë, prandaj kush mund t’i tregojë si do të ndodhë? Asnjeri nuk është i zoti i frymës, që të mund ta ndalë frymën. Askush nuk është i zoti në ditën e vdekjes. Nuk ka rrugëdalje nga beteja dhe ligësia nuk e shpëton të zotin. Gjithë këtë gjë e kundrova ndërsa isha dhënë me gjithë zemër ndaj çdo gjëje që ndodh nën diell, kur njeriu e sundon njeriun për të zezën e tij.

10 Ndërkohë i pashë të paudhët të varrosur. Kishin hyrë në vendin e shenjtë dhe kishin dalë, por në qytet kishin harruar se kishin vepruar kështu. Edhe kjo është tymnajë. 11 Meqë nuk merret një vendim i shpejtë për veprat e liga, zemra e njerëzve priret krejt për ligësi. 12 Ndonëse mëkatarit, që bën njëqind ligësi, i zgjatet jeta, jam i vetëdijshëm se ata që druajnë Perëndinë do të kenë mbarësi ngaqë e druajnë. 13 Por i paudhi nuk do të ketë mbarësi e nuk do t’i zgjaten ditët porsi hija, se nuk e druan Perëndinë.

14 Në tokë ndodh edhe një tymnajë. Disa të drejtëve u ndodhin gjërat që u takojnë keqbërësve. Disa të paudhëve u ndodhin gjërat që u takojnë të drejtëve. Them se edhe kjo është tymnajë.

15 Prandaj e çmoj harenë, se për njeriun nuk ka të mirë tjetër nën diell përveçse të hajë, të pijë e të gëzojë. Kjo do ta shoqërojë në mundin e ditëve të jetës së tij që i dha Perëndia nën diell.

16 Kur u dhashë me gjithë zemër për ta njohur urtinë e për ta vërejtur detyrën që është caktuar mbi tokë, sesi sytë nuk shohin gjumë as ditën, as natën, 17 pashë gjithë punën e Perëndisë, se njeriu nuk mund ta marrë me mend veprën që është kryer nën diell. Sado të mundohet njerëzia të kërkojë, nuk do ta gjejë. Edhe nëse ndonjë i urtë do të thotë se e di, nuk do të mund ta gjejë.