Kuvendari 5

Cilësitë e të urtit

Mos e lësho gojën e mos të të ngutet zemra për të thënë fjalë para Perëndisë, se Perëndia është në qiell e ti në tokë, prandaj le të jenë të përkora fjalët e tua.

Ëndrrat vijnë prej punëve të shumta,

zëri i të marrit, prej fjalëve të shumta.

Kur t’i zotohesh Perëndisë, mos vono ta plotësosh, se nuk i pëlqejnë marrëzitë. Zotimin që bëre, plotësoje. Më mirë të mos zotohesh, se të marrësh zotime e të mos i plotësosh. Mos e lër gojën të të çojë në mëkat e mos thuaj para lajmëtarit se ishte mendjelehtësi. Pse të zemërohet Perëndia kundër britmës sate e ta rrënojë veprën e duarve të tua? Se, kur shumohen ëndrrat, shumohen edhe tymnajat e fjalët, prandaj druaje Perëndinë.

Nëse vëren se në një krahinë shtypet skamnori e të drejtit nuk i jepet e drejta, mos u habit nga kjo gjë, se të lartin e vëren dikush më i lartë dhe të gjithë i vëren eprori. Dobia e përgjithshme e tokës është kjo: arat e mbretit të punohen.

Kush e do paranë, nuk ngopet me para. Kush e do pasurinë, nuk ngopet me të ardhura. Edhe kjo është tymnajë. 10 Kur shumohet begatia, shumohen edhe ata që e brejnë. Ç’fitim kanë pronarët e saj, përveçse ta shohin me sy? 11 I ëmbël është gjumi i punëtorit, si në ngrëntë pak, si në ngrëntë shumë, kurse të kamurin nuk e lë të flejë babëzia. 12 Ka edhe një ligësi të rëndë që e kam parë nën diell: pasuria që ruan i zoti për të zezën e vet. 13 Kjo pasuri merr fund me një përdorim të gabuar. Lind djali e s’i mbetet gjë në dorë. 14 Siç doli nga barku i së ëmës, lakuriq do të kthehet e do të shkojë, siç erdhi. Nuk do të marrë asgjë nga mundi i vet, që ta mbartë në dorë. 15 Edhe kjo është ligësi e rëndë. Siç erdhi, ashtu do të shkojë. E ç’dobi ka ai që mundohet për erë? 16 Të gjitha ditët e veta i hëngri në errësirë, në brengë të madhe, në sëmundje e në zemërim. 17 Ja, më duket mirë e bukur që njeriu të hajë, të pijë e të dëfrejë, prej mundit që heq nën diell, në ditët e numëruara që Perëndia i ka dhënë, se kjo i takon. 18 Gjithashtu, çdo njeriu, të cilit Perëndia i dha pasuri e begati, i dha edhe mundësinë të hajë prej saj, të marrë pjesën e vet e të gëzojë mundin e vet. Kjo është dhuratë e Perëndisë. 19 Ai nuk do t’i kujtojë shumë ditët e jetës së vet, por Perëndia do ta dëfrejë me gëzimin e zemrës.