Kuvendari 4

Pastaj u solla e pashë tërë shtypjen që ushtrohet nën diell. Dhe, ja, lotët e të shtypurve nuk ka kush t’i ngushëllojë, se pushteti mban anën e shtypësve, prandaj nuk ka kush t’i ngushëllojë. Atëherë u përgëzova me të vdekurit, që vdiqën e shkuan, më shumë se me të gjallët, që ende gjallojnë, por më mirë se të dyja palët është ai që ende nuk është e nuk e ka parë ligësinë që bëhet nën diell.

Vërejta se tërë mundi e tërë arritjet në punë vinin nga zilia që kanë njerëzit me njëri-tjetrin. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.

I marri rri duarkryq

e ha veten me dhëmbë.

Më mirë një grusht plot qetësi,

se dy duar plot mund

e të rendësh pas erës.

Përsëri pashë tymnajë nën diell: dikush fillikat, pa fëmijë e pa vëlla, bën gjithë atë mund të pafund e sytë s’i kanë të ngopur me pasuri. «Për kë po punoj, që po ia mohoj vetes kënaqësitë?». Edhe kjo është tymnajë e punë e mbrapshtë.

Shoqëria

Dy vetë janë më mirë se një, se shpërblehen mirë për mundin e vet. 10 Se, po të rrëzohen, njëri ngre tjetrin. Por, mjerë ai që rrëzohet e nuk ka kush ta ngrejë. 11 Po ashtu, nëse dy vetë flenë bashkë, ngrohen, por ai që mbetet vetëm, si do të ngrohet? 12 Një njeri të vetëm e mundin, por dy vetë i bëjnë ballë një njeriu. Filli i trefishtë nuk këputet lehtë.

13 Më mirë një djalë skamnor e i urtë, se një mbret plak e i marrë që nuk di të këshillohet më, 14 se ai del nga burgu e bëhet mbret, ndonëse pati lindur skamnor në mbretërinë e vet. 15 I pashë të gjithë të gjallët që ecin nën diell me djaloshin që u ngrit e i zuri vendin mbretit. 16 Nuk kishte të sosur tërë ai popull, tërë ata të cilëve u printe. Por prapë, ata që do të vijnë më vonë, nuk do të gëzohen me të. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. 17 a Ruaje këmbën kur të shkosh në tempullin e Perëndisë. Më mirë afrohu për të dëgjuar, sesa për të kushtuar flinë e të marrëve, se ata nuk e dinë se veprojnë keq.


 a4.17 të tjerë e rendisin si 5.1