Kuvendari 2

Kotësia e arritjeve

Atëherë thashë me vete: «Eja, pra, e provo edhe kënaqësinë! Dëfrehu!». Por, ja, edhe kjo është tymnajë. Për gazmimin thashë: «Marrëzi!». Edhe për kënaqësinë: «Për çfarë duhet?». U orvata me zemër ta kënaqja trupin me verë, ndonëse zemrën ma drejtonte urtia, e të arrija çmendurinë, derisa të shihja ku është ajo e mirë që bëjnë njerëzit nën qiell përgjatë gjithë jetës së tyre. Bëra vepra të mëdha, ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta për vete. Bëra për vete kopshte e pemishte dhe i mbolla me të gjitha pemët frutore. Bëra për vete pellgje uji për të ujitur pyllin me fidanë. Bleva skllevër e skllave për vete dhe të tjerë më lindën në shtëpi. Pata edhe shumë tufa bagëtish e grigja për vete, më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Grumbullova për vete argjend e ar, si edhe thesarin e mbretërve e të krahinave. Mblodha për vete këngëtarë e këngëtare, si edhe shumë gra, që janë kënaqësia e njerëzisë.

U bëra i madhërishëm e ua kalova të gjithë paraardhësve të mi në Jerusalem. Madje edhe urtia ndenji me mua. 10 Çfarëdo të më lypnin sytë, nuk ua mohoja. Nuk ia mohova zemrës asnjë kënaqësi, se zemra ime kënaqej me të gjitha mundet e mia dhe këtë e kisha si shpërblim për çdo mund. 11 Pastaj i kundrova të gjitha veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin që kisha derdhur për t’i bërë. Dhe, ja, gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës, se nuk ka dobi nën diell.

Kotësia e urtisë

12 Atëherë u solla për të kundruar urtinë, marrëzinë e çmendurinë. Se, ç’mund të bëjë dikush që vjen pas mbretit, që s’e kanë bërë të tjerë më parë? 13 Pashë se urtia është më e dobishme se marrëzia, siç është drita është më e dobishme se errësira.

14 I urti i ka sytë në ballë,

i marri ecën në errësirë.

Por prapë unë e di se të dy i pret i njëjti fat. 15 Prandaj, thashë më vete: «Edhe mua më pret fati i të marrit. Atëherë, ç’dobi kam të bëhem i urtë?». Dhe thashë në zemrën time se edhe kjo është tymnajë. 16 Se nuk mbetet përherë kujtimi i të urtit, as i të marrit, por harrohet gjithçka që në ditët në vijim. Si mund të vdesë i urti me të marrin? 17 E urrej jetën, se më duket e ligë çdo punë që kryhet nën diell. Se gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës.

Kotësia e mundit

18 E urrej të gjithë mundin që kam derdhur nën diell, se duhet t’ia lë njeriut që vjen pas meje 19 dhe kush e di nëse do të jetë i urtë apo i marrë? Ai do ta zotërojë tërë mundin që kam derdhur me urti nën diell. Edhe kjo është tymnajë. 20 Atëherë zemrën ma kaploi përsëri trishtimi për tërë mundin që kisha hequr nën diell, 21 se ka njerëz që mundohen me urti, me dituri e arritje, për t’i lënë pjesën e vet dikujt që nuk është munduar fare. Edhe kjo është tymnajë e ligësi e madhe. 22 Çfarë arrin njeriu me tërë mundin e vet, duke u orvatur me zemër, duke u munduar nën diell? 23 Tërë ditët e tij janë stërmundim. Ngasje është detyra e tij. As natën nuk i prehet zemra. Edhe kjo është tymnajë.

24 Nuk ka asgjë më të mirë për njeriun sesa të hajë, të pijë e t’i kënaqet shpirti me mundin e vet. Edhe kjo, vërejta, vjen prej dorës së Perëndisë, 25 se kush mund të hajë e të kënaqet më shumë se unë? 26 Se, njeriut që i pëlqen, ai i jep urti, dituri e gëzim, ndërsa mëkatarit i cakton si detyrë të mbledhë e të grumbullojë, për t’ia dhënë kujt të dojë Perëndia. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.