Kuvendari 11

Hidhe bukën tënde mbi ujëra,

se pas shumë ditëve do ta gjesh.

Ndaje në shtatë pjesë, apo tetë,

se nuk e di ç’zezonë do të ndodhë mbi tokë.

Nëse retë ngopen, shiun e derdhin mbi tokë,

nëse një pemë bie në jug apo në veri,

ku të bjerë, aty mbetet.

Kush vëren erën, nuk mbjell,

kush shikon retë, nuk korr.

Sikurse nuk ke dijeni se nga u vjen fryma kockave në barkun e nënës, ashtu nuk e di as veprën e Perëndisë që bën gjithçka.

Në mëngjes mbille farën tënde e deri në mbrëmje mos i ndal duart, se nuk e di cila është më e mirë, kjo apo ajo, apo të dyja janë të mira.

Drita është e ëmbël dhe syve u bën mirë ta shohin diellin.

Edhe nëse njeriu jeton shumë vite, le t’i gëzojë të gjitha, por të kujtojë vitet e errëta, që do të jenë të shumta, se gjithçka ndodh është tymnajë.

Shijoje rininë, o djalosh, e le të të ngazëllejë zemra në ditët e rinisë sate. Ndiq udhën që të do zemra e vegimin që të shohin sytë, por dije se për të gjitha këto Perëndia do të të bëjë gjyq.

10 Shporre prej zemrës ngasjen, dëboje ligësinë nga mishi, se djalëria e çapkënëria janë veçse tymnajë.