Kuvendari 10

Disa miza të ngordhura e fëlliqin vajin erëmirë,

pak marrëzi peshon më shumë se urtia e nderi.

Zemra e të drejtit priret djathtas,

ndërsa zemra e të marrit priret majtas.

I marri, edhe kur ecën udhës, s’ka mend.

U thotë të gjithëve se është i marrë.

Nëse sundimtari shfryn kundër teje, mos luaj vendit,

se qetësia zhbën mëkatet e rënda.

Është një ligësi, që e kam parë nën diell, si gabim që bëhet nga sundimtari: marrëzisë i jepen shumë vende të larta, ndërsa të pasurit ulen në vende të ulëta. Kam parë skllevër mbi kuaj e princa duke ecur në këmbë si skllevër.

Kush hap gropë, bie vetë brenda,

atë që çan murin e ha gjarpri.

Kush thyen gurë, prej tyre lëndohet,

kush çan dru, rrezikohet pre tyre.

10 Nëse hekuri topitet e askush s’ia mpreh tehun,

duhet shtuar forca,

është e dobishme të përparojë urtia.

11 Nëse gjarpri kafshon para se të magjepset,

magjistari nuk ka dobi.

12 Fjalët e gojës së të urtit janë të hijshme,

por të marrin e përpijnë buzët e veta.

13 Fillimi i fjalëve të gojës së tij është marrëzi,

fundi i gojëtarisë së tij është çmenduri e ligë.

14 I marri i shumon fjalët.

Askush s’e di ç’do të ndodhë,

ndaj kush do t’i tregojë ç’do të ndodhë pas tij?

15 Të marrët i kapit mundi,

se nuk dinë as të shkojnë në qytet.

16 E mjera ti, o tokë, që e ke mbretin riosh

e princat e tu bëjnë gosti në mëngjes.

17 E lumja ti, o tokë, që e ke mbretin bir fisniku

e princat e tu bëjnë gosti kur duhet,

për t’u mëkëmbur e jo për t’u pirë.

18 Nga përtacia shembet pullazi,

duarngratit i pikon shtëpia.

19 Bukën e shtrojnë për t’u gëzuar,

vera e bën jetën të hareshme,

paraja i përgjigjet çdo gjëje.

20 Mos e shaj mbretin as me mend

dhe në dhomën e gjumit mos e shaj të pasurin,

se zogu i qiellit do ta mbartë zërin

e fluturaku do ta tregojë fjalën.