Hosea 9

Dënimi i Izraelit

«Mos u gëzo, o Izrael,

mos galdo si popujt e tjerë,

se kurvërove kundër Perëndisë tënd,

deshe pagën e lavires

në çdo lëmë drithi.

Lëmi e torku s’do të të ushqejë,

mushti do të të zhgënjejë.

S’do të banojnë në tokën e Zotit,

Efraimi do të kthehet në Egjipt,

ushqime të papastra do të hanë në Asiri.

Fli stërpikjeje s’do t’i kushtojnë më Zotit,

flijimet atij nuk do t’i pëlqejnë.

Si buka e hidhur do të jetë flija për ta,

i papastër do të jetë kushdo që e ha.

Buka do t’u duhet për të shuar urinë,

në shtëpinë e Zotit ajo s’do të mbërrijë.

Çfarë do të bëni në ditën e kremte,

në ditën e festës së Zotit?

E në ikshin prej shkatërrimit,

Egjipti do t’i presë,

Memfisi në dhe do t’i shtjerë.

Argjendin e çmuar, hithrat do t’ua trashëgojnë,

tendat, ferrat do t’ua mbulojnë.

Le ta dijë Izraeli se

erdhën ditët e ndëshkimit,

erdhën ditët e shpagimit.

Profeti është i marrë,

i frymëzuari i pamend,

për shkak të fajeve të mëdha

e armiqësive të shumta.

Rojë për Efraimin është profeti krah Perëndisë tim,

kurth gjahu ai u bë për udhët e tijg,

mëri ka në shtëpinë e Perëndisë së tij.

U shthurën keq si në ditët e Gibeahut,

por ai do t’i kujtojë fajet e tyre,

mëkatet e tyre do t’i ndëshkojë.

10 Porsi rrushin në shkretëtirë

e gjeta Izraelin.

Porsi fiqtë e parë të stinës

i pashë etërit e tu.

Por, ata shkuan në Baalpeor

e u dhanë pas turpit.

U bënë të urryer,

siç ishin ato që dëshironin.

11 Si shpendi që fluturon tej

do t’i ikë Efraimit lavdia.

Do të mbetet

pa lindje, shtatzëni e ngjizje.

12 E në i rritshin fëmijët e tyre,

do t’i lë pa fëmijë, pa njeri.

Mjerë ata

kur unë prej tyre të largohem.

13 Efraim, kur të pashë

ishe si palma e mbjellë livadhit,

por bijtë e vet Efraimi

do t’i çojë në thertore.

14 Jepu, o Zot,

çfarë ke për t’u dhënë!

Jepu barkun dështak

e gjinjtë e shteruar.

15 Tërë paudhësitë e tyre nisën në Gilgal,

atje fillova t’i urreja.

Për faj të veprave të tyre të liga,

do t’i zboj nga shtëpia ime.

Më nuk do t’i dua,

kryeneçë janë gjithë prijësit e tyre.

16 Efraimi u godit,

rrënjët iu thanë krejt,

fryt nuk do të japë më.

E në lindshin,

do t’ua vras fëmijët e dashur.

17 Perëndia im i mohoi,

se atë nuk e dëgjuan,

ndaj do të enden nëpër kombe».


 g9.8 ose: Efraimi ruan Perëndinë tim, profetit i vë kurth gjahu në udhët e tij