Hosea 7

«Sa herë Izraelin e shëroj,

shfaqen fajet e Efraimit

e paudhësitë e Samarisë.

Ata mashtrojnë,

vjedhësit hyjnë brenda,

kusarët sulen rrugëve.

Por, nuk u bie ndër mend,

se gjithë paudhësitë e tyre unë i kujtoj.

Ja, veprat e veta i rrethojnë,

para fytyrës sime ato qëndrojnë.

Me prapësitë e tyre e gëzojnë mbretin,

me rrena, princat e tyre.

Të gjithë janë kurorëshkelës,

janë porsi një furrë e nxehur fort,

zjarrin e të cilës bukëpjekësi nuk e shpurrit

derisa t’i vijë brumi që zë.

Në ditën e kurorëzimit

sëmuren princat të tërbuar me verë

e mbreti bashkë me tallësit tregon me gisht.

Zemrat e tyre mashtruese flakërojnë porsi furra,

gjatë natës bukëpjekësi i tyre fle,

por flakët e zjarrit ndizen që herët në mëngjes.

Të gjithë janë ndezur porsi furra

e gjyqtarët e tyre i përpijnë.

Tërë mbretërit e tyre bien,

por askush prej tyre nuk më thërret për ndihmë.

Efraimi përzihet me popujt e tjerë,

ai është si kulaçi gjysmë i pjekur.

Të huajt ia përpinë fuqinë,

por ai nuk e kupton.

Thinjat i kanë dalë në kokë,

por ai nuk e kupton.

10 Krenaria e Izraelit dëshmon kundër tij,

por nuk kthehet te Zoti, Perëndia i vet,

e prapë nuk e kërkon Perëndinë.

11 Efraimi u bë si pëllumbi,

mendjelehtë e dritëshkurtër,

thërret Egjiptin e shkon në Asiri.

12 Rrjetën do t’u hedh kur të nisen,

do t’i rrëzoj poshtë porsi shpendët e qiellit,

do t’i ndëshkoj sa herë kuvendojnë.

13 Mjerë ata, se ikën prej meje,

rrënimi i pret, se kundër meje u ngritën.

Unë do t’i shpëtoja,

por rrena flasin për mua.

14 Nuk më thërrasin me gjithë zemër,

se kur vajtojnë në shtrojat e tyre

e përgjaken për drithin e verën,

kundër meje ata ngrihen.

15 Unë i mësova, krahun ua forcova,

por kundër meje ata ligësi shestojnë.

16 Kthehen, por jo ku duhet,

u bënë si harku i thyer.

Krerët do të bien nga shpata,

prej gjuhës së tyre të pacipë.

Për këtë do të përqeshen në tokën e Egjiptit».