Hosea 6

Thirrje për pendesë

«Ejani të kthehemi te Zoti,

se ai na copëtoi, por edhe do të na shërojë,

na goditi, por edhe do të na mjekojë.

Pas dy ditëve do të na ngjallë,

ditën e tretë do të na ngrejë,

që para tij të jetojmë.

Ta njohim e ta gjurmojmë Zotin,

se ardhja e tij është e sigurt porsi agimi.

Do të vijë te ne porsi shiu,

porsi rrebeshi që tokën ujit.

Ç’të të bëj, o Efraim?

Ç’të të bëj, o Judë?

Besnikëria juaj si re mëngjesi,

porsi vesa që herët kalon.

Ndaj i copëtova me anë të profetëve,

i vrava me fjalët e gojës sime

e gjyqi im si drita agon.

Dëshiroj mëshirën e jo flijimin,

dijen e Perëndisë më shumë se flinë e shkrumbimit.

Si Adami e shkelën besëlidhjen,

të pabesë u treguan atje.

Gileadi është qytet keqbërës,

i njollosur me gjak.

Mblidhen bashkë priftërinjtë,

si kusarët që presin në pritë,

vrasin rrugës për në Shekem

e kryejnë prapësi.

10 Një gjë të tmerrshme pashë në shtëpinë e Izraelit,

atje kurvërohet Efraimi

e përdhoset Izraeli.

11 Edhe për ty, o Judë,

koha e korrjes është caktuar.

Sa herë e përtërij popullin tim».