Hosea 2

b «Por, numri i bijve të Izraelit do të bëhet si rëra e detit

që nuk matet e as numërohet.

Dhe në vendin ku u qe thënë: “Nuk jeni populli im!”,

do t’u thuhet: “Bij të Perëndisë së gjallë!”.

Do të bashkohen bijtë e Judës me bijtë e Izraelit,

një prijës të vetëm do të vënë në krye

e do të blerojnë mbi dhe,

se e madhërishme do të jetë dita e Izrelit.

Thuajuni vëllezërve: “Populli im!”c

e motrave: “E mëshiruara!”.ç

Paditeni nënën tuaj,

paditeni se nuk është më gruaja ime

e unë nuk jam më burri i saj.

Të heqë prej fytyrës shenjat e lavires

e tradhtinë prej gjinjve të saj,

përndryshe do ta zhvesh lakuriq,

do ta nxjerr në pah si ditën kur lindi,

do ta bëj si shkretëtirën,

porsi tokën e thatë,

do ta bëj të vdesë nga etja!

Për bijtë e saj s’do të kem mëshirë,

se pjellë laviresh janë.

Nëna e tyre u kurvërua,

e pacipë është ajo që i ngjizi,

se tha: “Do të shkoj pas dashnorëve të mi

që më japin bukë e ujë,

lesh e li, vaj e pije”.

Ndaj, ja, shtegun do t’ia zë me ferra,

një ledh do t’i ngre përreth,

që udhën të mos e gjejë.

Do të rendë pas dashnorëve,

por nuk do t’i kapë dot.

Do t’i kërkojë,

por nuk do t’i gjejë

e pastaj do të thotë:

“Po kthehem te burri im i parë,

se më e lumtur isha me të”.

10 Ajo nuk e di se isha unë,

ai që i dha drithë, musht e vaj.

Unë ia shumova argjendin e arin,

me të cilët bënë Baalë.

11 Ndaj, do ta marr mbrapsht drithin tim

në kohën e të korrave,

edhe verën time

në stinën e saj.

Do t’ia rrëmbej leshin e linë time,

me të cilën mbulon lakuriqësinë e vet.

12 Ja, tani do t’ia zbuloj paturpësinë

para syve të dashnorëve të saj.

Askush s’do ta shpëtojë dot prej dorës sime!

13 Do t’u jap fund tërë ngazëllimeve që ka:

festës, të shtunës, hënës së re

e çdo të kremteje që mban.

14 Do t’ia shkatërroj hardhinë e fikun,

për të cilat thoshte: “Kjo është paga ime

që dashnorët më dhanë”.

Shkurre ato do t’i bëj,

egërsirat do t’i gllabërojnë.

15 Do ta ndëshkoj për ditët kushtuar Baalëve,

gjatë të cilave u digjte temjan,

zbukurohej me unaza e stoli,

ndiqte pas dashnorët e saj

e mua më harronte,

kumton Zoti.

16 Por, ja, unë do ta ngashënjej,

do ta çoj në shkretëtirë

e do t’i flas ëmbël.

17 Prej andej vreshtat do t’ia jap

e luginën e Akorit si portë shprese.

Prej andej ajo do të më përgjigjet si në ditët e rinisë,

si në ditët kur doli prej tokës së Egjiptit.

18 Atë ditë, kumton Zoti,

do të më thuash: “Burri im!”

dhe jo më: “Baali im!”.

19 Do t’i fshij emrat e Baalëve prej buzëve të tua,

emrat e tyre nuk do t’i kujtosh më.

20 Atë ditë për ta do të lidh një besëlidhje

me kafshët e fushës, me fluturakët e qiellit

e me zvarranikët e dheut.

Harkun, shpatën e luftën

do ta zhbij nga toka,

që të qetë të banojnë.

21 Do të të bëj gruan time përherë,

do të të marr për grua

me drejtësi e të drejtë,

me mirësi e dhembshuri.

22 Do të të marr për grua me besnikëri

Zotin do ta njohësh.

23 Atë ditë do të përgjigjem, kumton Zoti.

Do t’i përgjigjem qiellit,

e qielli tokës,

24 toka drithit, mushtit e vajit,

e ata do t’i përgjigjen Izrelit.

25 Do ta mbjell për vete në tokë.

Do të kem mëshirë për Loruhamën,

do t’i them Loamit: “Je populli im”

e ai do të thotë: “Perëndia im!”».


 b2.1-2 të tjerë i rendisin si 1.10-11

 c2.3 he. Ami

 ç2.3 he. Ruhamah