Hosea 10

Robëria e Izraelit

«Hardhi e begatshme është Izraeli,

jep fryt me mbushulli,

por sa më shumë jep fryt,

aq më shumë i shton altarët,

sa më i begatshëm bëhet vendi,

aq më tepër i stolisin përmendoret e shenjta.

Kanë zemër mashtruese, ndaj janë fajtorë.

Ai do t’i thërrmojë altarët e tyre,

përmendoret e tyre të shenjta do t’i rrënojë.

E pastaj ata do të thonë:

“S’kemi mbret,

se Zotin nuk e druajtëm.

Po edhe mbreti ç’do të bënte për ne?”.

Flasin vetëm fjalë,

zotohen më kot e lidhin besëlidhje,

ndaj gjykimet lindin

si bimët helmuese në hulli të arës.

Për kaun e Bet Avenit

frikësohen banorët e Samarisë.

Vajton populli për të,

priftërinjtë dridhen për të,

për lavdinë e tij, se në mërgim shkoi.

Vetë do ta çojnë atë në Asiri,

si tagër për mbretin e madh.

Efraimin do ta kapë turpi,

Izraeli do të turpërohet për shestimet e veta.

Mbreti i Samarisë do të tretet,

porsi shkuma mbi ujë.

Do të rrafshohen faltoret e Avenit,

ato janë mëkatet e Izraelit.

Altarët e tyre do t’i mbulojë ferra e murrizi.

Maleve do t’u thonë: “Na mbuloni!”,

kodrave: “Bini mbi ne!”.

Që nga dita e Gibeahut

mëkatove, o Izrael.

Atje mbetën, në Gibeah,

atje keqbërësit lufta do t’i kaplojë.

10 Kam vendosur t’i ndëshkoj.

Popujt do të mblidhen kundër tyre,

kur të mbrehen për fajin e tyre të dyfishtë.

11 Efraimit, si kaut të mësuar,

i pëlqen lëmin të shijë,

zgjedhën ia hodha

mbi qafën e tij të bukur.

Efraimin do ta mbreh,

Juda do të lëvrojë,

Jakobi vetë do të trinojë.

12 Mbillni drejtësinë,

korrni frytin e mirësisë,

hapni tokë të re.

Është koha për të kërkuar Zotin derisa të vijë

e shiun e drejtësisë të zbrazë mbi ju.

13 Lëvruat paudhësinë,

korrët padrejtësinë,

frytin e gënjeshtrës hëngrët,

se i zure besë udhëve të tua,

trimave të tu të shumtë.

14 Do të buçasë lufta kundër popullit tënd,

fortesat e tua do të rrënohen,

siç e shkretoi Shalmani Bet Arbelin,

kur nënat copëtoheshin mbi bijtë e tyre.

15 Kështu do të ndodhë edhe me ty, o Betel,

për shkak të paudhësive që kreve.

Në të gdhirë mbreti i Izraelit do të marrë fund».