Numrat 8

Llambat e shandanit

Zoti foli me Moisiun e i tha: «Thuaji Aronit t’i vërë të shtatë llambat që të ndriçojnë para shandanit». Aroni veproi ashtu e i vuri llambat para shandanit, siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Shandani i artë ishte farkëtuar që nga baza deri te fletët, sipas gjedhes që Zoti i kishte dëftuar Moisiut.

Kushtimi i levitëve

Zoti i foli Moisiut e i tha: «Merri levitët prej izraelitëve e pastroji kështu: spërkati me ujin e pastrimit. Trupin ta rruajnë e rrobat t’i lajnë, që të jenë të pastër. Pastaj të marrin një dem e majë mielli të përzier me vaj për flinë e drithit. Ti merr një dem të dytë për flinë e mëkatit. Atëherë silli levitët para tendës së takimit e mblidh tërë bashkësinë e izraelitëve. 10 Kur t’ia paraqesësh levitët Zotit, izraelitët të vënë duart mbi ta. 11 Atëherë Aroni t’i kushtojë levitët para Zotit si fli lartësimi të kushtuar nga izraelitët. 12 Pastaj levitët të vënë duart mbi kryet e demave. Njëri dem t’i kushtohet Zotit si fli mëkati dhe tjetri si fli shkrumbimi për të kryer shlyerjen e mëkatit të levitëve. 13 Nxirri levitët para Aronit e bijve të tij dhe kushtoja Zotit si fli lartësimi.

14 Kështu do t’i veçosh levitët nga izraelitët dhe ata do të më përkasin mua. 15 Pasi t’i kesh pastruar dhe kushtuar si fli lartësimi, levitët do të mund të hyjnë në tendën e takimit. 16 Nga izraelitët, levitët janë ata që më janë kushtuar krejtësisht. Ata i kam marrë për vete në vend të çdo fryti të parë të barkut, të çdo të parëlinduri të izraelitëve. 17 Mua më përket çdo i parëlindur i izraelitëve, i kafshëve dhe i njerëzve, sepse ditën kur godita tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, i kushtova për veten time. 18 Levitët i mora në vend të çdo të parëlinduri të izraelitëve. 19 Ia dhashë Aronit e bijve të tij si dhuratë prej izraelitëve që të shërbejnë në tendën e takimit në vend të popullit e që të shlyejnë izraelitët. Kështu izraelitët nuk do të dënohen me plagë kur t’i afrohen shenjtërores».

20 Atëherë Moisiu, Aroni dhe tërë bashkësia e izraelitëve i kushtuan levitët. Izraelitët bënë gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut në lidhje me levitët. 21 Pasi levitët u pastruan dhe i lanë rrobat, Aroni ia kushtoi Zotit si fli lartësimi dhe u bëri shlyerjen e mëkateve që të ishin të pastër. 22 Më pas levitët hynë në tendën e takimit për të shërbyer para Aronit e bijve të tij. Ata vepruan ashtu siç Zoti i kishte urdhëruar Moisiut në lidhje me levitët.

23 Zoti foli me Moisiun e i tha: 24 «Sa për levitët, ata do të shërbejnë në tendën e takimit nga njëzet e pesë vjeç e sipër. 25 Pasi të kenë mbushur pesëdhjetë vjeç nuk do të shërbejnë më. 26 Atëherë do të mund të ndihmojnë vëllezërit që kujdesen për tendën e takimit, por nuk do të shërbejnë. Kështu do të veprosh me shërbesën e levitëve».