Numrat 25

Adhurimi i Baalit

Kur Izraeli qëndroi në Shitim, populli filloi të kurvëronte me bijat e Moabit. Ato e grishën popullin të merrnin pjesë në flitë kushtuar perëndive të tyre. Populli hëngri prej flive dhe adhuroi perënditë e tyre. Kështu, Izraeli ndoqi Baalpeorin dhe Zoti u zemërua me të. Ai i tha Moisiut: «Merri të gjithë krerët e popullit e vari në mes të ditësk para Zotit, që të largohet zemërimi i Zotit nga Izraeli». Atëherë Moisiu u tha gjyqtarëve të Izraelit: «Secili nga ju të vrasë njerëzit e vet që ndoqën Baalpeorin».

Ndërkohë një izraelit solli te të afërmit një midianite mu para syve të Moisiut e të gjithë bashkësisë që po qanin te hyrja e tendës së takimit. Kur e pa, Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të priftit Aron, u ngrit nga bashkësia, mori në dorë një heshtë dhe e ndoqi izraelitin deri te tenda. Pastaj i shporoi të dy në baqth, izraelitin e midianiten. Atëherë plaga kundër Izraelit u ndal. Megjithatë, nga plaga u vranë njëzet e katër mijë veta.

10 Zoti i tha Moisiut: 11 «Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të priftit Aron, e largoi zemërimin tim prej Izraelit. Ai u tregua i zellshëm për mua e kështu nuk u dhashë fund izraelitëve për shkak të zellit tim. 12 Prandaj thuaj: ja, po i jap besëlidhjen time të paqes 13 atij dhe pasardhësve të tij. Ajo është besëlidhja e përhershme e priftërisë, sepse ai u tregua i zellshëm për Perëndinë e tij dhe e shleu mëkatin e izraelitëve».

14 Izraeliti që u vra për shkak të midianites quhej Zimri, biri i Saluit, prijësit të fisit të Simeonit. 15 Gruaja midianite që u vra quhej Kozba, bija e Curit, kreut të një fisi të Midianit.

16 Zoti i tha Moisiut: 17 «Kundërvihuni midianitëve e sulmojini, 18 sepse dolën kundër jush me dredhi, duke ju mashtruar në çka ngjau në Peor e me motrën e tyre Kozbën, bijën e prijësit të Midianit. Ajo u vra në ditën e plagës për shkak të ngjarjes në Peor».


 k25.4 ose: përballë diellit