Numrat 2

Fushimi i izraelitëve

Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Izraelitët të fushojnë sipas njësive, secili nën emblemën e familjes së etërve. Të fushojnë me kah nga tenda e takimit dhe përreth saj. Në krahun lindor, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Judës. Prijësi i pasardhësve të Judës është Nahshoni, biri i Aminadabit. Ushtria e tij numëron shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind veta. 5-7 Përkrah tij të jetë fisi i Isaharit e i Zabulonit. Prijësi i pasardhësve të Isaharit është Netaneli, biri i Cuarit. Ushtria e tij numëron pesëdhjetë e katër mijë e katërqind veta. Prijësi i pasardhësve të Zabulonit është Eliabi, biri i Helonit. Ushtria e tij numëron pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind veta. Kështu, tërë fushimi i Judës, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind veta. Ata të nisen të parët.

10 Në krahun jugor, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Rubenit. Prijësi i pasardhësve të Rubenit është Elicuri, biri i Shedeurit. 11 Ushtria e tij numëron dyzet e gjashtë mijë e pesëqind veta. 12-14 Përkrah tij të jetë fisi i Simeonit e i Gadit. Prijësi i pasardhësve të Simeonit është Shelumieli, biri i Curishadait. Ushtria e tij numëron pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind veta. Prijësi i pasardhësve të Gadit është Eliasafi, biri i Reuelit. 15 Ushtria e tij numëron dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë veta. 16 Kështu, tërë fushimi i Rubenit, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e pesëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë veta. Ata të nisen të dytët.

17 Pastaj të niset, në mes të fushimeve, tenda e takimit dhe fushimi i levitëve. Secili të jetë në vendin e tij, në njësinë përkatëse, si në udhëtim ashtu, edhe në fushim.

18 Në krahun perëndimor, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Efraimit. Prijësi i pasardhësve të Efraimit është Elishamai, biri i Amihudit. 19 Ushtria e tij numëron dyzet mijë e pesëqind veta. 20-22 Përkrah tij të jetë fisi i Manaseut e i Benjaminit. Prijësi i pasardhësve të Manaseut është Gamalieli, biri i Pedahcurit. Ushtria e tij numëron tridhjetë e dy mijë e dyqind veta. Prijësi i pasardhësve të Benjaminit është Abidani, biri i Gideonit. 23 Ushtria e tij numëron tridhjetë e pesë mijë e katërqind veta. 24 Kështu, tërë fushimi i Efraimit, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e tetë mijë e njëqind veta. Ata të nisen të tretët.

25 Në krahun verior, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Danit. Prijësi i pasardhësve të Danit është Ahiezeri, biri i Amishadait. 26 Ushtria e tij numëron gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind veta. 27-29 Përkrah tij, të jetë fisi i Asherit e i Neftaliut. Prijësi i pasardhësve të Asherit është Pagieli, biri i Okranit. Ushtria e tij numëron dyzet e një mijë e pesëqind veta. Prijësi i pasardhësve të Neftaliut është Ahirai, biri i Enanit. 30 Ushtria e tij numëron pesëdhjetë e tre mijë e katërqind veta. 31 Kështu, tërë fushimi i Danit, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind veta. Ata të nisen të fundit».

32 Ky është regjistri i izraelitëve sipas familjeve të etërve. Tërë fushimi i izraelitëve, sipas njësive ushtarake numëroi gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta. 33 Levitët nuk u përfshinë në numërimin e izraelitëve ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.

34 Kështu, izraelitët bënë gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut. Secili fushoi e udhëtoi sipas njësive përkatëse e sipas klaneve të familjeve të etërve.