Numrat 15

Rregulla për flijime

Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në vendbanimin që po ju jap e t’i kushtoni Zotit dhen e qe si fli erëkëndshme zjarri, qofshin ato fli shkrumbimi apo flijime për të përmbushur ndonjë zotim, si fli vullnetare ose për të festuar të kremtet, paraqitini Zotit edhe një kilogram majë mielli të përzier me një litër vaj si fli drithi dhe një litër verë si fli stërpikjeje për çdo qengj të flijuar ose të kushtuar si fli shkrumbimi. Për çdo dash sillni dy kilogramë majë mielli të përzier me një litër e gjysmë vaj si fli drithi dhe një litër e gjysmë verë si fli stërpikjeje që të jetë fli erëkëndshme për ZotinKur të kushtosh dem, qoftë si fli shkrumbimi apo si flijim për të përmbushur ndonjë zotim ose si fli paqtimi, sill edhe tre kilogramë majë mielli, të përzier me dy litra vaji si fli drithi 10 dhe dy litra verë si fli stërpikjeje që të jetë fli erëkëndshme zjarri për Zotin11 Kështu të bëhet për çdo dem, çdo dash, çdo qengj e çdo dhi. 12 Flija përkatëse e drithit dhe e stërpikjes të përllogaritet sipas numrit të tyre.

13 Kështu të veprojë çdo vendas që i paraqet Zotit fli erëkëndshme zjarri. 14 Kur një i huaj, qoftë i ardhur apo banor i përkohshëm, i kushton Zotit fli erëkëndshme zjarri, të bëjë siç bën edhe ti. 15 I njëjti rregull të vlejë për bashkësinë, si për ju, edhe për të huajin. Ky është rregull i përhershëm, brez pas brezi. Si ju, edhe i huaji, jeni të njëjtë para Zotit16 I njëjti ligj e rregull të vlejë si për ju, edhe për të huajin që banon mes jush».

17 Zoti i tha Moisiut: 18 «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën ku unë po ju çoj 19 e të hani nga ushqimi i tokës, kushtojini Zotit dhuratë. 20 Nga brumi i parë i magjes dhuroni kulaç. Paraqiteni ashtu siç bëni me dhuratën e lëmit. 21 Brez pas brezi do t’i jepni Zotit nga brumi i parë i magjes.

22 Nëse gaboni padashur e nuk i mbani tërë këto urdhërime, që Zoti i dha Moisiut 23 e përmes tij jua dha edhe juve, që nga dita që u dhanë e më tej, brez pas brezi, 24 nëse, pra, ndodh kështu pa dijeninë e bashkësisë, atëherë tërë bashkësia t’i kushtojë Zotit një dem si fli erëkëndshme shkrumbimi, fli drithi e fli stërpikjeje, sipas rregullit, dhe një cjap si fli mëkati. 25 Prifti të kryejë shlyerjen e mëkatit për tërë bashkësinë e izraelitëve që t’u falet faji, se gabuan padashur dhe, për këtë, i kushtuan Zotit fli zjarri e fli mëkati. 26 Kështu, tërë bashkësia e izraelitëve dhe i huaji që banon mes jush do të falet, sepse i tërë populli gaboi padashur.

27 Kur dikush gabon padashur, të paraqesë një ftujë dyvjeçare si fli mëkati. 28 Prifti të kryejë shlyerjen e mëkatit për personin që gaboi padashur para Zotit që t’i falet faji. 29 Ky ligj të vlejë si për vendasin, edhe për të huajin që banon mes jush. 30 Por ai vendas apo i huaj që gabon me qëllim, e poshtëron Zotin, prandaj të zhbihet nga populli. 31 Ai përbuzi fjalën e Zotit dhe theu urdhërimet e tij. Të zhbihet për shkak të fajit që bëri».

Mosmbajtja e së shtunës

32 Kur ishin në shkretëtirë, izraelitët kapën dikë që po mblidhte dru ditën e shtunë 33 dhe e sollën para Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë. 34 E mbajtën nën mbikëqyrje, sepse nuk ishte e qartë se ç’do të bëhej me të. 35 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Të dënohet me vdekje! Tërë bashkësia ta vrasë me gurë jashtë fushimit». 36 E nxorën jashtë fushimit dhe e vranë me gurë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Thekët

37 Zoti i tha Moisiut: 38 «Fol me izraelitët e thuaju: brez pas brezi të punojnë thekë në fund të rrobave. Në cep të thekëve të vendosin një shirit ngjyrë vjollcë. 39 Kur të shihni thekët, do të kujtoheni për tërë urdhërimet e Zotit e do t’i zbatoni. Kështu nuk do të ndiqni lakmitë e zemrës e të syve. 40 Do të kujtoheni të mbani tërë urdhërimet e mia e do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj. 41 Unë, Zoti, jam Perëndia juaj që ju nxori nga toka e Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë, Zoti, jam Perëndia juaj!».