Numrat 13

Izraelitët hetojnë Kanaanin

Zoti i tha Moisiut: «Dërgo disa burra që të hetojnë tokën e Kanaanit, të cilën unë po ua jap izraelitëve. Dërgoni nga një prijës për çdo fis». Moisiu veproi siç i tha Zoti dhe i dërgoi krerët e izraelitëve nga shkretëtira e Paranit. Këta janë emrat e tyre: prej fisit të Rubenit, Shamuai, biri i Zakurit; prej fisit të Simeonit, Shafati, biri i Horiut; prej fisit të Judës, Kalebi, biri i Jefunehut; prej fisit të Isaharit, Igali, biri i Jozefit; prej fisit të Efraimit, Hosea, biri i Nunit; prej fisit të Benjaminit, Paltiu, biri i Rafuit; 10 prej fisit të Zabulonit, Gadieli, biri i Sodit; 11 prej fisit të Jozefit, fisit të Manaseut, Gadiu, biri i Susiut; 12 prej fisit të Danit, Amieli, biri i Gemaliut; 13 prej fisit të Asherit, Seturi, biri i Mikaelit; 14 prej fisit të Neftaliut, Nahabi, biri i Vafsiut; 15 dhe prej fisit të Gadit, Geueli, biri i Makiut.

16 Këta ishin emrat e burrave që Moisiu dërgoi për të hetuar tokën. Moisiu e quajti Hosenë, birin e Nunit, Jozueh.

17 Moisiu i dërgoi për të hetuar tokën e Kanaanit e u tha: «Shkoni nëpër Negev e ngjituni në male, 18 që të vështroni se çfarë vendi është. A ka shumë apo pak banorë? A është popull i fortë apo jo? 19 A është toka ku rrinë e mirë apo e keqe? A janë qytetet ku banojnë të hapura apo të fortifikuara? 20 A është tokë pjellore apo e shkretë? A ka pyje apo jo? Kini guxim e merrni disa nga frutet e tokës». Ishte stina e rrushit të hershëm.

21 Kështu, ata shkuan dhe hetuan tokën, që nga shkretëtira e Cinit deri në Rehob të Lebo Hamatit. 22 Shkuan në Negev e mbërritën në Hebron. Atje banonin bijtë e Anakut, Ahimani, Sheshai e Talmai. Hebroni ishte ndërtuar shtatë vjet përpara Coanit të Egjiptit. 23 Kur arritën në luginën e Eshkolit, vëzhguesit këputën shegë, fiq dhe një degë me vile rrushi që e mbartën dy veta në shtagë. 24 Vendi u quajt lugina e Eshkolit për shkak të viles së rrushit që izraelitët këputën atje.

Raportimi

25 Pas dyzet ditësh hetimi, vëzhguesit u kthyen. 26 Erdhën te Moisiu e Aroni dhe te tërë bashkësia e Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh. U sollën lajmin Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë dhe i dëftuan frutet e tokës. 27 Pastaj i treguan Moisiut: «Shkuam te vendi ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë. Ja disa nga frutet e vendit. 28 Por banorët e vendit janë të fortë, qytetet janë të fortifikuara e shumë të mëdha. Madje, atje vumë re edhe pasardhësit e Anakut. 29 Amalekitët banojnë në tokën e Negevit. Hititët, jebusitët e amoritët banojnë në malësi, ndërsa kananitët banojnë buzë detit, përgjatë Jordanit».

30 Por Kalebi e urdhëroi popullin të heshtte e i tha Moisiut: «Të shkojmë menjëherë e ta pushtojmë, se me të vërtetë jemi në gjendje të fitojmë». 31 Burrat që kishin shkuar me të u përgjigjën: «Jo, nuk ndeshemi dot me atë popull, se janë më të fortë se ne». 32 Ata u folën keq izraelitëve për tokën që hetuan: «Toka që përshkuam dhe hetuam është një vend që i përpin banorët e saj. I gjithë populli që pamë është shtatlartë. 33 Atje vumë re edhe nefilimët, pasardhësit e Anakut që rrjedhin prej nefilimëve. Para tyre, na u duk vetja si karkaleca. Kështu do t’iu dukemi edhe ne atyre».