Nehemia 3

Rindërtimi i mureve të Jerusalemit

Kryeprifti Eliashib dhe vëllezërit e tij priftërinj ndërtuan Portën e Deleve, e kushtuan dhe i vunë kanatet. E kushtuan deri te Kulla e të Njëqindve dhe deri te Kulla e Hananelit. Pranë tij ndërtuan burrat e Jerikosë e pranë tyre ndërtoi Zakuri, biri i Imriut.

Portën e Peshqve e ndërtuan bijtë e Senahut. Ata i bënë shtalkat dhe i vunë kanatet, menteshat e shulat. Pranë tyre bëri meremetime Meremoti, biri i Urjahut, të birit të Hakocit. Edhe Meshulami, biri i Berekjahut, të birit të Meshezabelit bëri meremetime pranë tyre, sikurse edhe Cadoku, biri i Banahut. Aty pranë bënë meremetime tekoitët, por fisnikët e tyre nuk iu nënshtruan urdhrave të zotërve të vet.

Portën e Jeshanahut e meremetuan Jojadai, biri i Paseahut, dhe Mëshulami, biri i Besodjahut. Ata i bënë shtalkat dhe i vunë menteshat, kanatet e shulat. Pranë tyre bënë meremetime Melatjah Gibeoniti e Jadon Meronotiti, prej Gibeonit e prej Micpahut. Këta ishin nën pushtetin e qeveritarit të tejlumit; pranë tyre bëri meremetime Uzieli, biri i arpunuesit Harhajah; pranë tij bëri meremetime Hananiahu, biri i prodhuesve të vajrave erëmirë. Këta e rindërtuan Jerusalemin deri te Muri i Gjerë; pranë tyre bëri meremetime Refajahu, biri i Hurit, kreut të gjysmës së rrethit të Jerusalemit; 10 pranë tyre, përballë shtëpisë së vet, bëri meremetime Jedajahu, biri i Harumafit; pranë këtij bëri meremetime Hatushi, biri i Hashabenjahut. 11 Malkjahu, biri i Harimit, dhe Hashubi, biri i Pahat Moabit, meremetuan pjesën e dytë dhe Kullën e Furrave; 12 pranë tyre bëri meremetime Shalumi, biri i Haloheshit, kreu i gjysmës së rrethit të Jerusalemit, bashkë me të bijat.

13 Portën e Luginës e meremetoi Hanuni me banorët e Zanoahut. Ata e ndërtuan dhe i vunë kanatet, menteshat e shulat. Ndërtuan edhe një mijë kute mur, deri te Porta e Hedhurinave.

14 Portën e Hedhurinave e meremetoi Malkjahu, biri i Rekabit, kreut të rrethit të Betkeremit. Ai e ndërtoi dhe i vuri kanatet, menteshat e shulat.

15 Portën e Gurrës e meremetoi Shaluni, biri i Kolhozehut, kreut të rrethit të Micpahut. Ai e ndërtoi, e mbuloi dhe i vuri kanatet, menteshat e shulat. Ndreqi edhe murin e Hurdhës së Shelahut, te Kopshti i Mbretit, deri te shkallët që zbresin nga qyteti i Davidit. 16 Më tej, Nehemia, biri i Azbukut, kreut të gjysmës së rrethit të Betcurit, bëri meremetime deri kundruall Varrezave të Davidit, deri te Hurdha e Sajuar dhe te Shtëpia e Trimave. 17 Përtej tij bënë meremetime levitët: Rehumi, biri i Baniut, pranë të cilit punoi Hashabiahu, kreu i gjysmës së rrethit të Kejlahut, për rrethin e vet. 18 Më tej, bënë meremetime vëllezërit e tyre: Bavai, biri i Henadadit, kreut të gjysmës së rrethit të Kejlahut, 19 pranë të cilit Ezeri, biri i Jeshuait, kreut të Micpahut, meremetoi pjesën e dytë, kundruall malores së armatimeve, te qoshja. 20 Përtej tij, Baruku, biri i Zabait, meremetoi me zell pjesën e dytë, nga qoshja te hyrja e shtëpisë së kryepriftit Eliashib. 21 Përtej tij, Meremoti, biri i Urjahut, të birit të Hakocit, meremetoi pjesën tjetër, nga hyrja e shtëpisë së Eliashibit deri ku përfundon shtëpia e Eliashibit.

22 Përtej tij bënë meremetime priftërinjtë, burrat prej rrethinave. 23 Përtej tyre, kundruall shtëpisë së vet, bënë meremetime Benjamini e Hashubi; përtej tyre, pranë shtëpisë së vet, bëri meremetime Azarjahu, biri i Masejahut, të birit të Ananjahut; 24 përtej tij, Binui, biri i Henadadit, meremetoi pjesën tjetër, nga shtëpia e Azarjahut deri te qoshja e deri te kthesa; 25 Palali, biri i Uzait, bëri meremetimet kundruall qoshes dhe kullës që spikat përmbi shtëpinë e mbretit te tremja e rojës; përtej tij, Pedajahu, biri i Faroshit, 26 dhe shërbestarët e tempullit, që banojnë në Ofel, bënë meremetime deri kundruall Portës së Ujit, në lindje të Kullës Spikatëse; 27 përtej tij, tekoitët meremetuan pjesën tjetër kundruall kullës së madhe që spikaste deri te Muri i Ofelit.

28 Mbi Portën e Kuajve bënë meremetime priftërinjtë, secili kundruall shtëpisë së vet; 29 përtej tyre bëri meremetime Cadoku, biri i Imerit, kundruall shtëpisë së vet; përtej tij bëri meremetime Shemajahu, biri i Shekanjahut, rojtari i Portës së Lindjes; 30 përtej tij, Hananiahu, biri i Shelemiahut, dhe Hanuni, biri i gjashtë i Calafit, meremetuan pjesën tjetër; përtej tyre Meshulami, biri i Berekjahut, bëri meremetime kundruall banesës së vet; 31 përtej tij, Malkjahu, njëri prej arpunuesve, bëri meremetime deri te shtëpia e shërbestarëve të tempullit dhe e tregtarëve, kundruall Portës së Vendtakimit e deri te dhoma e epërme e qoshes. 32 Ndërmjet dhomës së epërme të qoshes dhe Portës së Deleve bënë meremetime arpunuesit e tregtarët.

Zemërimi i kundërshtarëve

33 a Kur Sanbalati dëgjoi se po ndërtonim murin, u zemërua, u tërbua, i vuri në lojë judenjtë 34 dhe tha para vëllezërve të vet e ushtrisë së Samarisë: «Çfarë kanë ndër mend të bëjnë këta judenj mjeranë? Duan ta përfundojnë? Duan të bëjnë kushtime? Duan ta mbarojnë brenda ditës? Duan të ngjallin prej pirgut të hirit gurët e djegur?». 35 Tobi Amoniti, që ishte pranë tij, tha: «Le ta ndërtojnë, por edhe një dhelpër po të ngjitet sipër, do ta shembë murin e tyre prej guri».

36 Dëgjo, o Perëndia ynë, se u përçmuam! U rëntë kokës qesëndia e tyre e jepi ata si plaçkë në ndonjë vend skllavërimi! 37 Mos e mbulo fajin e tyre e mos t’u heqtë sysh mëkati i tyre, sepse ata i ngucën ndërtuesit.

38 Ne e rindërtuam murin. Muri ishte i lidhur mirë deri në gjysmë dhe populli e pati për zemër punën.


 a3.33-38 të tjerë i rendisin si 4.1-6