Nehemia 2

Nisja për në Jerusalem

Ishte muaji Nisan i vitit të njëzetë të mbretit Artakserks. Mbreti e kishte verën përpara dhe unë e mora verën e ia qita mbretit, mirëpo nuk kisha qenë ndonjëherë i trishtuar para tij. Atëherë mbreti më tha: «Pse ke këtë pamje të trishtuar? I sëmurë nuk je, prandaj nuk mund të jetë tjetër, veçse trishtim i zemrës». Mua më zuri një frikë e madhe e i thashë mbretit: «Rroftë mbreti përgjithmonë! Si mos të të dukem i trishtuar, kur qyteti, ku gjenden varret e të parëve të mi, u shkretua e portat ia ka përpirë zjarri?». Mbreti m’u përgjigj: «Çfarë po kërkon?». Unë iu luta Perëndisë së qiellit e i thashë mbretit: «Po të dojë mbreti e nëse e ka për zemër shërbëtorin e vet, të më dërgojë në Judë, në qytetin ku gjenden varret e të parëve të mi, që ta rindërtoj». Mbreti, me mbretëreshën përkrah, më tha: «Sa do të zgjatë udhëtimi yt e kur do të kthehesh?». Unë ia tregova kohën. Mbretit i pëlqeu e më la të shkoja. Pastaj i thashë: «Po të dojë mbreti, le të më jepen letra për qeveritarët e tejlumit, që të më lejojnë të kaloj për në Judë, si dhe një letër për Asafin, rojtarin e pyjeve të mbretit, që të më japë drurë për ndërtimin e portave të qytezës dhe për shtëpinë ku do të hyj». Mbreti m’i dha, sepse dora e Perëndisë ishte me mua.

Kur mbërrita te qeveritarët e tejlumit, u dhashë letrat e mbretit. Mbreti më kishte dhënë me vete një shpurë prijësish e disa kalorës. 10 Sanbalat Horoniti e shërbëtori i tij amonit, Tobia, dëgjuan për këtë dhe u erdhi shumë keq që dikush kishte ardhur për t’u dalë zot izraelitëve.

Nehemia vëzhgon muret e qytetit

11 Kur mbërrita në Jerusalem, ndenja aty tri ditë. 12 Pastaj u ngritëm me natë unë e ata pak burra që ishin me mua, pa i treguar askujt çfarë Perëndia më kishte shtënë në zemër të bëja për Jerusalemin. Nuk mora me vete asnjë kafshë, përveç kafshës ku ndenja kaluar. 13 Dola me natë nga Porta e Luginës, drejt Pusit të Dragoit e drejt Portës së Hedhurinave dhe pashë si ishin shembur muret e Jerusalemit e si i kishte përpirë zjarri portat e tij. 14 Pastaj kalova nga Porta e Burimit e nga Hurdha e Mbretit, por nuk pati asnjë vend ku të mund të kalonte kafsha ku kisha hipur. 15 Atëherë iu ngjita luginës nëpër natë, u solla duke vëzhguar murin, mbërrita te Porta e Luginës e u ktheva.

16 Zyrtarët nuk e morën vesh ku shkova, as çfarë bëra. Nuk kisha njoftuar as judenjtë, as priftërinjtë, as fisnikët, as zyrtarët e as ata që merreshin me punimet. 17 Atëherë u thashë: «Ju e shihni vetë në çfarë mjerimi gjendemi. Jerusalemi është shkretuar e zjarri ia ka djegur portat. Ejani t’i ndërtojmë muret e Jerusalemit, që të mos na përçmojnë më». 18 U tregova se kisha me vete përkrahjen e Perëndisë dhe fjalët që më kishte thënë mbreti. Ata thanë: «Të ngrihemi e ta rindërtojmë!». Pastaj ata i mbrehën duart për këtë vepër të mirë.

19 Kur Sanbalat Horoniti, Tobia, shërbëtori i tij amonit, dhe Geshem Arabi i dëgjuan këto, u tallën me ne e na përqeshën, duke thënë: «Ç’është kjo që po bëni? Po ngriheni kundër mbretit?». 20 Atëherë unë u thashë: «Perëndia i qiellit do të na e bëjë mbarë dhe ne, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi e do të ndërtojmë, ndërsa ju nuk keni as pjesë, as të drejtë e as kujtime në Jerusalem».