Nehemia 12

Priftërinjtë dhe levitët

Priftërinjtë dhe levitët që u kthyen me Zorobabelin, të birin e Shealtielit, e me Jozuehun janë këta: Serajahu, Jeremia, Ezra, Amarjahu, Maluku, Hatushi, Shekanjahu, Rehumi, Meremoti, Idoi, Gintoi, Abijahu, Mijamini, Madiahu, Bilgahu, Shemajahu, Jojaribi, Jedajahu, Salai, Amoku, Hilkiahu e Jedajahu. Këta ishin krerët e priftërinjve e të vëllezërve të tyre në kohën e Jozuehut.

Levitët ishin Jozuehu, Binui, Kadmieli, Sherebiahu, Juda e Matanjahu, i cili bashkë me vëllezërit e vet kujdesej për këngët e lavdit. Vëllezërit e tyre Bakbukiahu e Uniu shërbenin kundruall tyre.

10 Jozuehut i lindi Jojakimi, Jojakimit i lindi Eliashibi, Eliashibit i lindi Jojadai, 11 Jojadait i lindi Jonatani e Jonatanit i lindi Jaduai.

12 Në kohën e Jojakimit priftërinjtë kryefamiljarë ishin Merajahu për familjen e Serajahut; Hananiahu për familjen e Jeremisë; 13 Meshulami për familjen e Ezrës; Jehohanani për familjen e Amarjahut; 14 Jonatani për familjen e Melikuit; Jozefi për familjen e Shebanjahut; 15 Adnai për familjen e Harimit; Helkaji për familjen e Merajotit; 16 Zakaria për familjen e Idoit; Meshulami për familjen e Ginetonit; 17 Zikriu për familjen e Abijahut; Piltai për familjen e Minjaminit të Moadiahut; 18 Shamuai për familjen e Bilgahut; Jonatani për familjen e Shemajahut; 19 Matenai për familjen e Jojaribit; Uziu për familjen e Jedajahut; 20 Kalai për familjen e Salait; Eberi për familjen e Amokut; 21 Hashabiahu për familjen e Hilkiahut; Netaneli për familjen e Jedajahut.

22 Në kohën e Eliashibit, të Jojadait, të Johananit e të Jaduait, deri në kohën e mbretërimit të Darit të Persisë, levitët u regjistruan sipas kryefamiljarëve, sikurse edhe priftërinjtë. 23 Kryefamiljarët e pasardhësve të Levit u regjistruan në librin e Kronikave deri në ditët e Johananit, birit të Eliashibit. 24 Krerët e levitëve, Hashabiahu, Sherebiahu e Jozuehu, biri i Kadmielit, bashkë me vëllezërit e tyre, që u rrinin kundruall, këndonin me radhë lavde e falënderime, sipas urdhrit të Davidit, njeriut të Perëndisë. 25 Matanjahu, Bakbukiahu, Abdia, Meshulami, Talmoni e Akubi ishin derëtarë e ruanin qilarët e portave. 26 Këta jetuan në kohën e Jojakimit, birit të Jozuehut, të birit të Jocadakut, kur Nehemia ishte qeveritar e prifti Ezra ishte shkrues.

Kushtimi i mureve të qytetit

27 Për kushtimin e mureve të Jerusalemit njerëzit kërkuan levitët prej të gjitha vendeve, që t’i sillnin në Jerusalem, për ta kremtuar kushtimin me gëzim, me falënderim, me këngë, me cimbale, me lira e me harpa. 28 Këngëtarët u mblodhën nga rrethinat e Jerusalemit, nga fshatrat e Netofatitit, 29 nga Bet Gilgali e nga krahina e Gebës dhe Azmavetit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar për vete fshatra përreth Jerusalemit. 30 Priftërinjtë e levitët u pastruan vetë e pastaj pastruan popullin, portat e murin. 31 Atëherë unë ngjita mbi mur prijësit e Judës dhe caktova dy kore të mëdha që këndonin këngë falënderimi për parakalim. Njëri shkoi mbi mur në të djathtë, në drejtim të Portës së Hedhurinave. 32 Pas tyre shkuan Hoshajahu, gjysma e prijësve të Judës, 33 Azarjahu, Ezra, Meshulami, 34 Juda, Benjamini, Shemajahu, Jeremia 35 e disa priftërinj të rinj me trumbeta, Zakaria, biri i Jonatanit, të birit të Shemajahut, të birit të Matanjahut, të birit të Mikahut, të birit të Zakurit, të birit të Asafit, 36 bashkë me vëllezërit e tij Shemajahun, Azarelin, Milalain, Gilalain, Main, Netanelin, Judën e Hananiun, me veglat muzikore të Davidit, njeriut të Perëndisë. Para tyre ecte shkruesi Ezra. 37 Kur mbërritën te Porta e Gurrës, u ngjitën drejt nëpër shkallët e Qytetit të Davidit, tek e përpjeta e murit mbi shtëpinë e Davidit, në drejtim të Portës së Ujit, në lindje.

38 Kori tjetër shkoi në të majtë e unë shkova pas tyre mbi mur me gjysmën tjetër të popullit, përtej Kullës së Furrave, në drejtim të Murit të Gjerë. 39 Kaluam Portën e Efraimit, Portën e Vjetër, Portën e Peshqve, Kullën e Hananelit, Kullën e të Njëqindve dhe Portën e Deleve. Ata u ndalën te Porta e Burgut. 40 Të dy koret u ndalën te tempulli i Perëndisë e bashkë me ta edhe unë e gjysma e zyrtarëve, që ishin me mua, 41 si edhe priftërinjtë Eliakimi, Masejahu, Minjamini, Mikahu, Eljoenai, Zakaria e Ananjahu, që mbanin trumbetat. 42 Ishin edhe Masejahu, Shemajahu, Eleazari, Uziu, Jehohanani, Malkjahu, Elami dhe Ezeri. Atëherë këngëtarët kënduan nën drejtimin e Izrahjahut. 43 Atë ditë ata kushtuan flijime të mëdha e u ngazëlluan, sepse Perëndia i kishte ngazëlluar shumë. U gëzuan edhe gratë e fëmijët dhe ngazëllimi i Jerusalemit u dëgjua që nga larg.

44 Atë ditë disa burra u caktuan kujdestarë të kthinave të grumbullimit të dhuratave, të të lashtave e të të dhjetave, që të grumbullonin në to nga fushat përreth qyteteve pjesën që u takonte me ligj priftërinjve e levitëve, duke qenë se judenjtë u ngazëlluan me priftërinjtë e levitët që shërbenin. 45 Ata kryen shërbesën e Perëndisë së tyre, si edhe shërbesën e pastrimit. Kështu vepruan edhe këngëtarët e derëtarët, sipas urdhrit të Davidit e birit të tij, Solomonit. 46 Dikur, në kohën e Davidit e të Asafit, këngëtarët kishin pasur drejtues. Kishin pasur edhe këngë lavdi e falënderimi për Perëndinë. 47 Në kohën e Zorobabelit e të Nehemisë mbarë Izraeli u jepte këngëtarëve e derëtarëve pjesën e përditshme. Ata ndanin veç pjesën që u takonte levitëve e levitët ndanin veç pjesën që u takonte pasardhësve të Aronit.