Mikea 7

Kundër ligësisë

«Mjerë unë!

U bëra si korrësi i të korrave,

si vjelësi i rrushit,

ku s’ka rrush për të ngrënë

e as fiq që m’i ka ënda.

U zhduk besëtari nga toka,

s’ka më të drejtë mes njerëzve.

Të gjithë ngrenë pritë për gjak,

zënë njëri-tjetrin me rrjeta.

Mirë u punojnë duart për keq,

princi kërkon, gjykatësi merr mitë,

i forti flet si ia ka ënda,

e ata bashkë thurin mbrapshti.

Mirësia e tyre porsi driza,

drejtësia më keq se shkurre ferrash.

Mbërriti dita e ndëshkimit që rojat shpallën,

tani do të pështjellohen.

Mos i zini besë mikut,

as mos kini shpresë tek i afërti.

Ruaj se hap gojën

para gruas që të shtrihet në gji.

Se biri e shpërfill të atin,

bija ngrihet kundër të ëmës,

nusja kundër vjehrrës,

armiqtë e njeriut janë njerëzit e shtëpisë.

Por unë nga Zoti do të vështroj,

do të pres për Perëndinë, shpëtimtarin tim.

Perëndia im do të më dëgjojë.

Mos u ngazëllo për mua, o armikja ime,

se ndonëse rashë, u ngrita,

ndonëse rri në errësirë,

Zoti është drita ime.

Do ta duroj zemërimin e Zotit,

se kundër tij mëkatova,

derisa ta gjykojë çështjen time,

e të më shpallë të drejtë.

Ai do të më nxjerrë në dritë

e drejtësinë e tij do të vëzhgoj.

10 Armikja do të më shohë

e turpi do ta zërë,

atë që më tha:

“Ku është Zoti, Perëndia yt?”.

Sytë e mi do ta shohin,

kur me këmbë do të shtypet,

porsi balta rrugëve.

11 Kjo është dita kur do të ndërtosh muret,

dita kur kufijtë do të zgjerohen,

12 dita kur te ti do të vijnë njerëz,

nga Asiria e nga qytetet e Egjiptit,

nga Egjipti deri në Eufrat,

prej detit në det

e prej malit në mal.

13 Toka do të shkretohet,

për faj të banorëve të saj,

për faj të veprave të tyre.

14 Kullote me kërrabë popullin tënd,

dhentë e trashëgimisë sate,

banorët që veças rrinë në korije,

në mes të kullotavef.

Kullotshin ata në Bashan e Gilgal

si në ditët e moçme.

15 Si në ditët kur dole nga toka e Egjiptit,

do t’i dëftojg mrekullitë.

16 Do ta shohin kombet e do të turpërohen

për tërë fuqinë e tyre.

Do ta mbulojnë gojën me dorë

e veshët do t’u shurdhohen.

17 Do ta lëpijnë pluhurin porsi gjarpri,

porsi zvarranikët e tokës.

Prej strofujve do të dalin duke u dridhur,

Zotit, Perëndisë tonë, do t’i nënshtrohen të tmerruar

e prej teje do të kenë frikë.

18 Cili Perëndi është si ti,

që fajin e fal e shkeljen e kapërcen

për tepricën e trashëgimisë sate?

Zemërimi i tij s’mban përgjithmonë,

se ai kënaqet kur përdëllim tregon.

19 Mëshirë do të ketë sërish për ne.

Ai do t’i ndryjë fajet tona,

në fund të detit do t’i hedhë tërë mëkatet tona.

20 Do të tregohesh besnik me Jakobin,

dashamirës me Abrahamin,

siç u premtove etërve tanë,

në ditët e kahershme».


 f7.14 ose: Karmelit

 g7.15 të tjerë: na dëfto